Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të hënën se sipas të gjitha gjasave, data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të komunave në veri, do të jetë 18 dhjetori.
Sipas saj, vendimin për datën e mbajtjes së zgjedhjeve për komunat në veri do ta bëjë publik “të hënën apo të martën në mëngjes”.
Deklaratat, presidentja Osmani i bëri pas takimit të hënën me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.
“Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët serbë të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues që ka lindur nga akti i dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave. Assesi nuk është çështje dëshire apo vendim që mund të ndryshohet, sepse nuk ka rrugë tjetër”, theksoi Osmani.
Katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – janë pa kryetarë qysh nga 5 nëntori. Kryetarët, të nacionalitetit serb, dhanë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
