Osmani bisedon me Macronin dhe Scholzin për vizat dhe dialogun

TË FUNDIT

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me homologun e saj francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me të cilët ka biseduar për çështjen e vizave dhe dialogut.

Takimi trepalësh u zhvillua në margjina të samitit inaugurues të platformës së Bashkësisë Politike Evropiane, që u mbajt në Pragë më 6 tetor.

Sipas njoftimit, Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për “angazhimin e tyre për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së”.

Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave dhe kjo çështje do të jetë në rend dite të Këshillit Evropian më 13 tetor.

Ndërkaq, sa i përket dialogut politik me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Osmani tha se Kosova është e interesuar që ky proces të mbyllet “sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë” dhe duke mos prekur integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Ajo falënderoi Parisin dhe Berlinin për përpjekjet e tyre për të intensifikuar procesin e dialogut.

Scholz dhe Macron së fundmi kanë emëruar këshilltarët, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që të shtyjnë palët drejt përmbylljes së procesit.

Ndryshe, Kosova ishte në mesin e 44 shteteve që u ftuan në samitin e Bashkësisë Politike Evropiane, që po mbahet në kohën kur kontinenti evropian po përballet me sfida të sigurisë dhe energjisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.