Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në fillim të ditës së dytë të Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s, ka theksuar nevojën për bashkëpunim më të fuqishëm strategjik mes NATO-s dhe BE-së, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.
“Dje kishim takime produktive. Sot do të kemi diskutime me partnerët tanë, përfshirë BE-në. E theksoj nevojën për një bashkëpunim më të fuqishëm strategjik midis NATO-s dhe BE-së, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, si rajon me rëndësi të veçantë strategjike për të dy organizatat”, tha Osmani para fillimit të sesionit të dytë të takimit të Ministrave të NATO-s.
Osmani para fillimit të takimit u shpreh se aderimi i Ballkanit Perëndimor në BE është i një rëndësie të veçantë.
“Ne nuk duhet të lejojmë që asnjë ambivalencë të rezultojë në divergjencë që mund të përdoret gjithashtu nga aktorë të jashtëm. Aderimi i Ballkanit Perëndimor në BE është i një rëndësie të veçantë”, tha Osmani.
Ministri Osmani, në Bruksel përveç seancave brenda Këshillit të Ministrave, ka takime të veçanta me Ministrat e Punëve të Jashtme të Portugalisë, Presidencën aktuale të Bashkimit Evropian Augusto Santos Silva, si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Olavi Haavisto.
