Kohë më parë TV21 njoftoi se qytetarët ankoheshin për spitalin e Kumanovës, veçanërisht për repartin e ORL-së në të cilin për shkak të mungesës së aparatit të anesteziologjisë dhe anesteziologëve nuk kryhen operacione, e si pasojë qytetarët drejtohen në spitalin e Shkupit apo të Tetovës. Në këtë drejtim, ministri Sali në fillim të muajit mars paralajmëroi se ky repart do të furnizohet me aparatin e nevojshëm, megjithatë pa dhënë afat se kur do të realizohet kjo gjë. Pas pothuajse dy muajve ministri sot tha se janë në fazë të furnizimit.
“Dua të theksoj se ne nuk mund të sigurojmë që çdo shërbim të kryhet në çdo spital, sepse kjo është barrë shumë e madhe për secilin institucion. Për ORL-në kuadër ka, por një pjesë e aparaturës është amortizuar dhe kemi një defekt me të njëjtin. Për këtë ne jemi në fazë të furnizimit por, kjo do të merr pak kohë”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Megjithëse ministri theksoi se për repartin e ORL-së ka kuadër, nga ana tjetër ai e pranon se në përgjithësi ka mungesë kadrovike pasi që një numër i madh i mjekëve e kanë lëshuar vendin.
“Periudhën e kaluar kishim ikje të kuadrove në perëndim. Këtë ikje ne nuk mund ta zëvendësojmë menjëherë. Kjo qeveri me politika që janë motivuese për të gjithë punëtorët shëndetësorë, nuk është vetëm rritja e pagave, përmirësimi i kushteve të punës, ri-pajisje të spitaleve. Do të punojmë në atë drejtim për të arritur shërbime të denja në çdo spital”, pohoi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Ndryshe, Spitali i Kumanovës është spitali i vetëm që mbulon rajonin Veri-Lindor të vendit, ndërsa është edhe një ndër spitalet e përgjithshëm më të mëdhenj në vend, megjithatë nga arsye të ndryshme një numër i madh i operacioneve nuk kryhen aty, ndërsa pacientët udhëzohen për në spitalet tjera në vend.
