Orë policore nga ora 18 në gjithë Francën nga e shtuna e ardhshme, test PCR për hyrje në vend

TË FUNDIT

Franca i forcon masat për luftë kundër epidemisë me Kovid-19 dhe frikën nga versioni i ri britanik i virusit, një nga masat kryesore është vendosja e orës policore nga ora 18 deri në orën 6 të mëngjesit në gjithë Francën, kjo masë hyn në fuqi këtë të shtunë, njoftoi korrespondenti i MIA-s.

Masa u kumtua dje nga kryeministri Zhan Kasteks dhe ishte e pritur pasi që e gjithë Franca po ballafaqohet me numër të madh të të sëmurëve, mesatarisht rreth 18000 raste të reja çdo ditë.

“Në rast se konstatohet përkeqësim i fortë i situatës epidemiologjike, ne do të deklarojmë mbyllje të re”, tha Kasteks. Gjatë mbylljes së dytë këtë vjeshtë, në ditë kishte 50,000 raste të reja.

Udhëtarët që vijnë në Francë, jashtë vendeve anëtare të BE-së, do të duhet të dorëzojnë test PCR negativ, jo më të vjetër se 72 orë, dhe të qëndrojnë në izolim për 7 ditë për të hyrë në territorin francez. Nga këto masa janë të përjashtuar punëtorët ndërkufitar dhe vendet e punës të ashtuquajtura “thelbësore”.

Çdo ditë sipas ministrit të Shëndetësisë, Olivie Verkan ka rreth 200 deri 300 të infektuar me variantin e ri anglez të virusit.

Megjithëse virusi lëviz në mënyrë aktive në territorin francez, qeveria thotë se nuk ka “rritje” të epidemisë pas sezonit të festave të Vitit të Ri.

Shkollat ​​do të qëndrojnë të hapura, ndërsa shkollat ​​e mesme do të jenë në mënyrë hibride, një pjesë e mësimdhënies me prani fizike në shkollë, një pjesë onlajn. Ekipet për testim të viruseve do të shkojnë në shkolla kur do të shënohen të paktën tre raste të të infektuarve.

Nga 20 janari studentët nga viti i parë do të kthehen në fakultetet në grupe të vogla, por vetëm për ushtrime. Është paralajmëruar edhe ndihmë e përforcuar psikologjike për studentët.

Në lidhje me vaksinat kryeministri, Zhan Kasteks, konfirmoi se në fund të janarit në Francë do të ketë mbi një milionë persona të vaksinuar, deri sonte janë vaksinuar 300 000 persona. Nga e hëna 6,4 milionë francezë, përkatësisht një e dhjeta e popullsisë është ftuar që të vaksinohet