Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav deklaroi se nuk duhet humbur kohë dhe nuk ka plan “B” për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni.
Ai sot duke komentuar negociatat për implementimin e marrëveshjes së 2 qershorit për zgjidhjen e krizës, nënvizoi se deri më 15 shtator duhet të zgjidhet Prokurori Special.
“ Pres që ai të zgjidhet në afatin e paraparë dhe nga 16 shtatori të fillohet me punë”, deklaroi sot euroambasadori Orav,transmeton agjencia INA.
Ai tha se e ka të qartë se procesi i negociatave po ecën me vështirësi, por inkurajoi palët politike që të gjejnë zgjidhje kompromisi.
“Jam i kënaur që shumë punë të mira tashmë janë arritur. Grupet punuese po bisedojnë për format, opozita më 1 shtator u kthye në Parlament, që ishte një ndër elementet kyçe të kësaj marrëveshjeje, ndërsa tani edhe një datë tjetër kyçe na pret javën e ardhshme. Ajo është q5 shtatori, kur prokurori i posaçëm duhet të emërohet nga katër partitë politike”, deklaroi Orav.
Ai shtoi se nuk ekziston plan nëse prokurori i psoaçëm nuk zgjidhet deri në afatin e parashikuar.
“Nuk ekziston plan ‘B’. Prokurori i posaçëm duhet të emërohet më 15 shtator. Mbeten edhe disa çështje dhe shpresoj që nëse jo gjatë orëve në vijim, atëherë gjatë ditëve në vijim këto çështje do të zgjidhen në një mënyrë shumë konstruktive dhe në interes të këtij vendi. Kështu që, më 15 shtator do të arrihet marrëveshja”, deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav, duke informuar për vizitën e eurokomisionerit për zgjerim Johannes Hahn më 18 shtator në Shkup.
