Deklarata shpresëdhënëse nga zyrtarët se edhe përkundër Memorandumit bullgar, në dhjetor mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, çka do të shënonte edhe hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim.
Sinjale të këtilla duket të ketë marrë kryeministri i vendit Zoran Zaev nga Brukseli. Ai po shpreson për epilog të suksesshëm për Draft-kornizën e negociatave në Këshillin për Punë të Përgjithshme më 10 nëntor, pas çka mund të pritet mbajtje e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe BE-së.
“Shpresëdhënëse janë sinjalet nga partnerët tanë evropianë se çështjet dypalëshe nuk duhet të bëhen mollë sherri në fazën e bisedimeve përmbyllëse”, deklaroi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Ndër këta partnerë për të cilët flet Zaev mund të jetë edhe Gjermania, e cila tashmë po kryeson me Unionin. Këtë e la të kuptohet edhe ambasadori i ri i BE-së Dejvid Gir, i cili tha se me kryesimin gjerman paralajmërimet janë që konferenca ndërqeveritare të mbahet para vitit të ri.
“Në lidhje me konferencën ndërqeveritare, diskutimet do të vazhdojnë në Këshill pasi të jetë arritur pajtueshmëri rreth kornizës për bisedime, e më pas do të mbahet konferenca ndërqeveritare dhe shpresojmë se e njëjta do të ndodhë së shpejti. E dini se për momentin Gjermania kryeson me BE-në, tani Gjermania e ka marrë atë vend dhe ata thonë dhe shpresojnë se konferencën do ta kemi para mbarimit të këtij viti”, tha Dejvid Gir – Ambasador i BE-së në RMV.
Gir nuk tregoi nëse përveç Bullgarisë, edhe vende të tjera kanë vërejtje për propozim kornizën për nisje të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri gjatë fjalës së tij në prani të ambasadorit të sapoemëruar u zotua se sa i përket anës sonë, nuk do të lejohen prolongime të reja në rrugën evropiane. Zaev pret që para 10 nëntorit, pra para mbajtjes së Samitit të Sofjes në kuadër të procesit të Berlinit, të takohet me homologun bullgar Bojko Borisov. Temë diskutimi do të jetë edhe Goce Dellçevi dhe periudha kur ai ka jetuar.
“Komisionet vazhdojnë edhe më tej të punojnë, sepse kjo është shumë e rëndësishme, por përgjithësish pritshmëria jonë është që një orë e më parë të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje për këtë çështje, të përgatitemi dhe të jemi të shkëlqyeshëm në Procesin e Berlinit”, potencoi Zoran Zaev – Kryeministër i RMV-së.
Goce Dellçev është revolucionar maqedonas, tha Zaev, por shtoi se fakt është që edhe Bullgaria e konsideron revolucionar bullgar. Kryeministri kërkon që figurat historike të shihen si bazë për ndërtim të miqësisë më të fortë.
Në takimin e tyre të parë, Zaev dhe Gir kanë biseduar edhe për reformat, për të cilat euroambasadori tha se duhen bërë në të gjitha fushat, sidomos në sundimin e së drejtës, si klasteri kyç i bisedimeve sipas metodologjisë së re të bisedimeve. Sa i përket përballjes me pandeminë, Gir siguroi se do të vazhdojnë të ndihmojnë Maqedoninë e Veriut për sektorin e shëndetësisë por edhe për ekonominë.
