Opozita zotohet se do ta ndryshojë sistemin politik turk

TË FUNDIT

Koalicioni opozitar turk është zotuar se do të ndryshojë shumë nga politikat e presidentit aktual, Recep Tayyip Erdogan, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj.

Të hënën, ky koalicion e zgjodhi liderin opozitar, Kemal Kilicdaroglu, si kandidat për president. Ai do të jetë kundërkandidati i Erdoganit në këto zgjedhje.

Koalicioni – i përbërë nga gjashtë parti – premton që vendi do të kthehet në një demokraci parlamentare, që do të tërheqë politikat ekonomike joortodokse dhe se do të sjellë ndryshim të madh në politikën e jashtme.
Premtimi kryesor i koalicionit opozitar është kthimi i Turqisë në një sistem parlamentar, për të cilin ata thonë se do të jetë “më i fortë” se ai që ishte në fuqi, përpara se vendi të kalonte në sistemin aktual presidencial më 2018.

Koalicioni premton, gjithashtu, se do ta kthejë Presidencën në një institucion me rol “të paanshëm”, pa përgjegjësi politike.

Presidenti, sipas koalicionit, do t’i ndërpresë lidhjet me partitë politike, do të shërbejë vetëm një mandat shtatëvjeçar dhe më pas do t’i ndalohet angazhimi nga politika aktive.

Autoriteti i Parlamentit për t’u tërhequr nga marrëveshjet ndërkombëtare do të përfshihet në Kushtetutë.

Në administratën publike, bordet dhe zyrat në varësi të Presidencës do të shfuqizohen, dhe detyrat e tyre do të kalojnë në ministritë përkatëse.
Ky bllok premtoi se do ta ulë inflacionin në numër njëshifror brenda dy vjetëve, i cili u rrit në 55 për qind gjatë muajit shkurt. Një tjetër premtim i koalicionit është edhe rivendosja e stabilitetit të lirës turke, e cila ka humbur 80 për qind të vlerës së saj në pesë vjetët e fundit.

Koalicioni tha gjithashtu se do të sigurojë pavarësinë e Bankës Qendrore dhe do t’i heqë rregullat si për shembull: lejimi i kabinetit për të zgjedhur guvernatorin.

Blloku opozitar premtoi se do të përgatisë legjislacionin për të lejuar Parlamentin të miratojë ligje mbi misionin e bankës, pavarësinë operacionale dhe emërimet e nivelit të lartë.

Opozita u zotua të shkurtojë shpenzimet e Qeverisë duke ulur numrin e avionëve të përdorur nga Presidenca, numrin e automjeteve të përdorura nga nëpunësit civilë dhe duke shitur disa ndërtesa shtetërore.

Planprogrami i koalicionit përfshin edhe shqyrtimin e të gjitha projekteve në kuadër të partneritetit publik-privat. Koalicioni, nëse fiton, tha se do të rishikojë projektin e centralit bërthamor Akkuyu dhe do të rinegociojë kontratat e gazit natyror, duke reduktuar rrezikun e varësisë nga disa vende për importin e gazit./Reuters