Opozita mori kopje të marrëveshjes me Fronteksin/ VMRO-DPMNE: Deputetët apo tradhtarët të kthehen në vendin e tyre?

TË FUNDIT

Marrëveshja me Fronteksin e nënshkruar në gjuhën maqedonase ishte tema e parë për të cilën “u kapën” pushteti dhe opozita menjëherë në fillim të seancës për pyetje deputetësh. Koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski, deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe Levicës iu shpërndau ekzemplarë të Marrëveshjes për Fronteksin. Le të lexojnë se me sa krenari tingëllon gjuha maqedonase në BE, tha Mitrevski dhe e thirri opozitën që të kërkojë falje për të gjitha gjërat që i ka thënë lidhur me humbjen e identitetit.

“Të gjithë deputetëve të VMRO-DPMNE-së u është shpërndarë nga një kopje nga Marrëveshja me Fronteksin në gjuhë të pastër maqedonase, pa shtesa, pa asgjë, në gjuhë të pastër maqedonase të barabartë me të gjitha gjuhët evropiane, me të gjitha 24 gjuhët e BE-së. Le të lexojnë dhe le të shohin se me sa krenari tingëllon gjuha maqedonase në BE. Le të shohin se me gënjeshtra dhe manipulime nuk udhëhiqet politika, le të shohin se nuk janë pjesë e politikës shtetformuese.”- deklaroi Jovan Mitrevski, Koordinator I LSDM-së.

Por, Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE, deputetët e pushtetit i quajti “tradhtarë” dhe pyeti në ç’gjuhe janë nënshkruar marrëveshjet me BE deri tash?

“Nuk ju kuptova tash, vetëm deputetët të kthehen në vendin e tyre apo tradhtarët, e thatë në fillim të fjalimit tuaj? Dua të pyes – në çfarë gjuhe janë nënshkruar të gjitha marrëveshjet e deritanishme mes Maqedonisë dhe Bashkimit Europian, gjegjësisht dokumentet? Ja një pyetje retorike, normalisht se që nga marrëveshja e parë për bashkëpunim mes Republikës së Maqedonisë dhe bashkësisë evropiane, e nënshkruar në vitin 1996 e deri më sot, gjithçka që ka nënshkruar Maqedonia, e ka nënshkruar në gjuhën maqedonase.”- tha Nikolla Micevski, Koordinator i VMRO-DPMNE-së.

Pyetjen e parë në seancën e sotme për pyetjet e deputetëve, e parashtroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE në lidhje me aferën e pretenduar Pronat e fshehura të funksionarëve aktualë, temë mbi të cilën foli këto ditë në konferencat për media.


“Kryeministër i nderuar, pse i mbroni funksionarët që e fshehin pronën e tyre ose  edhe ju vetë ndoshta fshihni pronë të përfituar përmes aferës Matësi. Pyetja e dytë deri te kryetarja e Komisionit antikorrupsion, Biljana Ivanovska, se sa funksionarë në përgjithësi kanë dorëzuar deklaratë për gjendjen e pronës dhe interesat.”- tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.


“Pyetje më parashtron deputet i VMRO-DPMNE-së, partia,  selia e së cilës është sinonim për krim dhe pronë të përfituar mbi shpinën e qytetarëve. Dorëzuam kërkesë deri te deputeti i cili publikisht foli të pavërteta në konferenca për media, të kërkojë falje, nëse nuk e bën këtë, ka ligje dhe gjithçka do të duhet të dëshmojë në gjykatë.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

“Vitin e kaluar kur kishte më shumë emërime dhe shkarkime, ne bëmë një aksion. Atëherë dolën 710 funksionarë të cilët nuk kishin dorëzuar listë anketuese dhe kundër tyre janë ngritur proceduar prej të cilave 400 janë mbaruar. Nëse keni ju ndonjë informacion, për dikë, ejani dhe na e jepni këtë informacion.”- pohoi Biljana Ivanovska, Kryetare E Komisioni Antikorrupsion.

Ditët e fundit Petrushevski në konferencë për media akuzoi se 123 funksionarë të pushtetit aktualë se nuk kanë dorëzuar listë anketuese dhe se kanë prona të fshehura me vlerë prej 30 milionë eurove.