Liderët e tre koalicioneve opozitare që fituan në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi i prezantuan drejtimet themelore të së ardhmes, qeverinë eksperte, duke theksuar se qëllimi i tyre është ta integrojnë Malin e Zi në BE dhe të rishqyrtojnë ligje të caktuara, përfshirë Ligjin për lirinë e fesë, si dhe miratimin e ligjit për origjinën e pronës dhe ligjin për lustrim.
I pyetur nëse është bërë koalicioni i këtyre tre grupeve, kreu i koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiq, si i ftuar në emisionin TV Viesti, tha se kanë ra dakord shumë shpejt dhe lehtë.
“Kur keni parime të qarta dhe një qëllim të qartë, njerëzit lehtë bien dakord. Ne ishim të udhëhequr nga zëri i njerëzve, jo nga zëri i politikës”, tha Krivokapiq, i cili shtoi se ai ende nuk po mendon se kush do të jetë mandatar.
Ai theksoi se opozita e ka fituar DPS e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, “nën kushtet e tij, në zgjedhjet e tij”.
Lideri i koalicionit “Paqja është ardhmëria jonë” Alekas Beshiq tha se kjo nuk është as proruse , as pro serbe e as proshqitare, por pushtet promalazez.
Beçiq theksoi se nuk do të ketë ndryshim në kursin e politikës së jashtme dhe se qeveria e re është e gatshme të zbatonte të gjitha reformat.
Lideri i koalicionit “Bardh e Zi”, Dritan Abazoviq, beson se qeveria e re duhet të veprojë “kundër asaj të vjetrës” dhe paralajmëron se Mali i Zi do të përballet me një vjeshtë dhe dimër të vështirë në aspektin ekonomik.
“Me rëndësi është të pranohet koncepti i qeverisë eksperte”, theksoi Abazoviq.
Ai tha se ka shumë ligje që duhet të rishikohen, duke përfshirë Ligjin për lirinë e fesë.
Shtoi se opozita ka mposhtur dikë që është konsideruar i pafitueshëm dhe ua ka kthyer sovranitetin qytetarëve.
