Opozita i ka dërguar ftesë ASH-së për bashkëpunim/ Zendeli: ASH do ta fuqizonte opozitën

TË FUNDIT

Deputeti i Lëvizjes Besa Fadil Zendeli, pjesë e Lidhjes Europiane për Ndryshim, në emisionin “10 minuta” njoftoi se si opozitë shqiptare para disa kohësh i kanë dërguar ftesë zyrtare Aleancës për Shqiptarët për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme. Sipas Zendelit, një përgjigje eventuale pozitive e ASH-së, do ta fuqizonte frontin opozitar. Këtë madje sipas tij, e dëshiron edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetvendosje, Albin Kurti.

“Ka kërkesë që të komunikohet dhe të bisedohet rreth kësaj. Është çështje tjetër si do të vendosë Aleanca për Shqiptarët. Nuk mund të interferojmë ne tash si do vendosin ata. Bashkohet Aleanca apo nuk bashkohet, nëse bashkohet janë të mirëseardhur, do të ishte një subjekt i mirëseardhur që do ta fuqizonte bllokun opozitar, nëse nuk bashkohet, rruga vazhdon”.

Megjithatë Zendeli theksoi se kjo thirrje nuk do të jetë përfundimisht e hapur dhe ka limitet e veta se deri kur ASH duhet të përcaktohet. Mirëpo për ASH-në kjo çështje duhet të diskutohet brenda organeve të partisë. Taravari konfirmon se për bashkëpunim eventual, ka biseduar para një muajve me krerët e partive opozitare.

“Para një muajsh kemi patur një takim një orë një orë e gjysëm. Me z.Kasamin jemi në zonën zhvillimore ekonomike të Pollogut, kemi patur takime por s’kemi biseduar për koalicionime. S’kemi biseduar për zgjedhje.
Por keni biseduar për bashkimin tuaj eventual, me opozitën shqiptare?
Jo jo. Para një muajsh kemi biseduar eventualisht a mundet Aleanca për Shqiptarët të bashkëpunon me opozitën shqiptare.
Dmth në Parlament, jo në zgjedhje?
Në zgjedhje në zgjedhje. Në Parlament as që diskutohet. Këtë periudhë them ASH është e vendosur deri në sekondën e fundit kur ka gjasa minimale që të ndodhin ndryshimet kushtetuese, as që e diskutojmë destabilitetin e Qeverisë”.

Përndryshe fronti opozitar së fundmi lidhi bashkëpunimin edhe në Kuvend ku gjashtë deputetët e tyre, formuan grup parlamentar.