Vlerësime të ndara të deputetëve të pushtetit dhe opozitës lidhur me fjalimin vjetor të Presidentit, Stevo Pendarovski. Sipas Vllado Misajllovskit nga VMRO-DMNE-ja, Pendarovski mbajti fjalim të zbehtë, në të cilin foli si një analist.
“Ajo që ishte evidente sot nga ana e Stevo Pendarovskit është se në vend që të paraqitet si President, ai u paraqit si një analist. Ai duhet të jetë President i të gjithëve dhe nuk guxon të veprojë si poltron në mbrojtje të pushtetit që po e çon Maqedoninë në humnerë. Në përgjithësi, një fjalim i zbehtë në të cilin poltronizmi ishte pjesë e pashmangshme.”- deklaroi Vllado Misajllovski, VMRO-DPMNE.
Fjalim korrekt, por më shumë si konkluzione, pa ofruar ndonjë zgjidhje, ishte vlerësimi i Halil Snopçes nga Aleanca për shqiptarët.
“Në pjesën ku konstaton se institucionet duhet ta çrrënjosin korrupsionin, mendojmë se presidenti duhet të ofrojë hapa konkretë. Jo vetëm të konstatojë. Te ne, fatkeqësisht, presidenti dezerton në luftën kundër korrupsionit kur para disa ditësh deklaroi se nuk kemi kapacitet për veting me këtë kuadro të sistemit gjyqësor.”- Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.
Deputetët e shumicës e lavdëruan fjalimin e presidentit Pendarovski. Fjalim shtetbërës i presidentit Pendarovski me mesazhe të rëndësishme për vlerat europiane në shtëpi, tha Daniella Koleva nga LSDM-ja.
“Presidenti Pendarovski e theksoi rëndësinë e fillimit të negociatave me BE. Përgjegjësi e të gjithë deputetëve është që të bëhet edhe hapi i fundit-ndryshimet kushtetuese. Nuk guxojmë të lejojmë vetë që të bllokohemi por tërësisht ta rrumbullakojmë procesin e anëtarësisë së plotfuqishme në Union.”- deklaroi Daniella Koleva, LSDM.
Fjalimi i Presidentit Pendarovski ishte konstruktiv, vlerësoi Arbër Ademi i cili foli për pjesën e ndryshimeve kushtetuese.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në Kuvend e mbajti fjalimin e tij të rregullt vjetor para deputetëve.
