OPOZITA E BINDUR SE S’DO KETË DATË PËR BISEDIME, BOZHINOVSKI: PA DATË, MUND TË NDRYSHOJË PERCEPTIMI PËR QEVERINË

TË FUNDIT

Opozitarja VMRO-DPMNE është e bindur se Maqedonia e Veriut as këtë vit nuk do të marrë datë për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Arsyen e gjejnë tek mungesa e reformave.

“Kontestin me Greqinë nuk e kemi dhe serish nuk ka datë për nisje të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nëse në të kaluarën problem ishte vetëm kontesti dhe nuk ngecnin reformat, tash reformat ngecin”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Rekomandimi i djeshëm pozitiv është i 10-ti me radhë për Maqedoninë e Veriut. Më domethënëse tani do të ishte që vendi të marrë datë për nisje bisedimesh, në të kundërtën do të ndryshonte perceptimi për qeverinë, konsideron analisti politik Vlladimir Bozhinovski.

“Shpresojmë. Nuk mund të themi nëse do të marrim apo jo, dhe nga kjo do të varet shumë edhe perceptimi për qeverinë. Mesazhi thelbësor që qeveria e ka dërguar këto 2-3 vitet e fundit, edhe para zgjedhjeve, edhe para referendumit, pas ndryshimeve kushtetuese ishte që kjo po bëhet për përparim të Maqedonisë në procxeset euroatlantike, dhe para së gjithash integrimeve evropiane”, tha Vlladimir Bozhinovski, analist politik.

Pas marrjes së rekomandimit për hapje të bisedimeve, tani mbetet të shihet nëse Këshilli i Evropës do t’ia hapë derën Maqedonisë së Veriut për të nisur negociatat aderuese. Të gjithë shpresojnë për këtë, përfshirë qeverinë e vendit, eurokomesarin Johanes Han dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së Federika Mogerini. Ambasadori i BE-së në vend Samuel Zhbogar dje tha se do të ishte mirë që bisedimet të hapeshin menjëherë, ndërsa në Parlamentin Evropian, raportuesi për Maqedoninë e Veiut Ivo Vjagëll tha se Evropa duhet të mbajë premtimet e dhëna, përndryshe do të humbë kredibilitetin e saj.

Përgatiti: Besir Arifi