Opozita britanike bashkohet kundër Bregzitit pa marrëveshje

TË FUNDIT

Partitë opozitare britanike sot kanë bërë të ditur se janë dakordësuar bashkërisht të punojnë në tentim që të parandalojnë daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, përmes procedurës legjislative apo përmes votimit të mosbesimit të Qeverisë në Parlament.

Deputetët javën e ardhshme  kthehen nga pushimi dhe përgatiten për betejë kundër kryeministrit Boris Xhonson, i cili premtoi daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja më 31 tetor me apo pa marrëveshje.

Lideri i Laburistëve Xheremi Korbin ishte nikoqir i takimit me Partinë Kombëtare skoceze, Demokratët Liberalë, të Gjelbrit dhe grupin e Pavarur për Ndryshime, me ç’rast është biseduar  për taktikën për parandalim të Bregzitit pa marrëveshje.

Korbini para takimit theksoi se do të bëjë gjithçka që nevojitet të parandalohet që Britania e Madhe ta braktisë BE-në pa marrëveshje. Ai paralajmëroi se dalje nga BE-ja pa marrëveshje do ta lërë Britaninë “në mëshirë dhe pamëshirë të presidentit të SHBA-së Donald Tramp dhe korporatave amerikane.

“Lufta për parandalim të Bregzitit pa marrëveshje nuk është luftë midis atyre të cilët duan ta braktisin BE-në dhe ata të cilët duan që Britania të mbetet anëtare”, thekson Korbin.