Përfundon operacioni për asgjësimin e drogës së kultivuar në zonën e Dukagjinit, por me asnjë të arrestuar. Policia e ka mbyllur operacionin “Dukagjini 2” vetëm me korrjen dhe asgjësimin e kanabisit, ndërsa më kot është munduar të gjejë autorët e vërtetë, por thjesht mund të ketë rënë në gjurmët e punëtorëve me mëditje që shërbenin në parcelat e kanabisit. “Zona e Dukagjinit është specifike. Paraqet vështirësi pasi banorët janë transferuar në vendet urbane dhe në këto zona ka shumë pak njerëz.
Me informacionet që disponojmë sot, kultivuesit e vërtetë janë ata që jetojnë në zonat urbane, këtu vetëm paguajnë njerëz me mëditje, të cilët i mbajnë të kujdesen. Njerëz me nivel arsimimi të ulët dhe të paangazhuar për shkak të mospasjes së një profesioni i përdorin për të punuar”.
Këtë deklaratë e dha dje drejtori i hetimit dhe parandalimit të krimit në Policinë e Shtetit Shqiptarë, Skënder Kalemi. Për strukturat e rendit ka qenë mjaft i vështirë identifikimi i autorëve të mundshëm të kultivimit të lëndëve narkotike dhe për këtë arsye është mjaftuar vetëm me asgjësimin e mbi 135 mijë bimëve narkotike.
Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, aktualisht mësohet se një kilogram drogë kanabis blihet me rreth 1500 euro dhe kjo ka bërë që trafikantët të përdorin forma të ndryshme për ta kultivuar. Një prej më të njohurave është gjetja e parcelave, të cilat janë në zona mjaft të thella dhe më pas ata pajtojnë punëtorë me mëditje, që janë kryesisht banorët më të afërt të këtyre zonave dhe më pas i paguajnë deri në 15 mijë lekë të vjetra dita. Për shitjen e drogës thuajse tregu mbetet gjithnjë i sigurt.
Nga ana tjetër, në disa zona ka pasur problem në bashkëpunimin e policisë me drejtues të pushtetit lokal. Në lidhje me aksionin e zhvilluar në zonën e Dukagjinit, për përfaqësuesit e pushtetit lokal që nuk kanë bashkëpunuar me policinë, drejtues Skënder Kalemi nuk ka përjashtuar marrjen e masave për mbyllje të hetimeve. Operacioni në zonën e Dukagjinit përfundoi me asgjësimin e 135 mijë rrënjëve kanabis, ndërsa zbulimi i kultivuesve ka rezultuar mision i pamundur.
Për asgjësimin e mbi 200 parcelave të evidentuara nga fotografimi ajror në zonën e Dukagjinit u angazhuan 450 efektivë policie, 70 mjete dhe një helikopter që monitoroi nga ajri. Për fat nuk është shënuar asnjë incident mes kultivuesve dhe punonjësve të policisë. Një vit më parë kjo ishte ndër zonat më problematike, ku punonjësit e policisë u gjetën shpesh nën breshëritë e armëve të trafikantëve.
