Operacion i gjerë antidrogë në Shkodër, mijëra bimë narkotike të asgjësuara

TË FUNDIT

Policia e Shtetit Shqiptar ka angazhuar gjatë ditës së sotme me qindra forca policore në zonën e Pultit në Shkodër, për asgjësimin e bimëve narkotike.
Rreth 400 forca të policisë lokale të Shkodrës si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me 60 mjete, kanë nisur që në orët e para të mëngjesit një operacion të gjerë anti-kanabis në zonën e Pultit.

Burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë bëjnë të ditur se gjatë ditës së sotme janë asgjësuar me mijëra rrënjë të bimëve narkotike. Ndërkohë sipas policisë operacioni vazhdon akoma, ndërsa sipërfaqet e kultivuara me bimë narkotike janë konstatuar më parë përmes pamjeve nga ajri.

Kjo është një zonë me risk, pasi rreth një vit më parë pikërisht në vendin ku po zhvillohet operacioni sot, u sulmua me armë helikopteri i Policisë së Shtetit.
Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka deklaruar se në orët në vijim do të publikojë informacione të detajuara për operacionin anti-kanabis që vazhdon në Shkodër.