“Oh sa do të befasoheni me Sallën Universale”, Shkupjanët u befasuan, por edhe u revoltuan nga vendimi për rrënim

TË FUNDIT

“Oh, sa do të befasoheni me Sallën Universale, oh sa do të befasoheni…”, u shpreh Petre Shilegov, kryetar i Shkupit.
 
Këtë, vetëm dy muaj më parë e deklaroi njeriu i parë i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov në debatin me Vlladimir Nelloskin nga VMRO-DPMNE në emisionin “Klik Plus” të TV21. Edhe qytetarët u befasuan, por pakëndshëm. Reagime të shumta shkaktoi konkursi për zgjidhjen ideore për vendin te Salla Universale ku parashihet të ndërtohet një park me skenë të vogël verore. Qytetarët kërkojë nga Shilegovi ta tërheqë projektin. I pari i Shkupit, vendimin e publikoi vetëm një ditë pas shënimit të 57-vjetorit të tërmetit. Gjatë garës për kryetar komune, Shilegovi para 3 viteve mbajti një tubim pikërisht para Sallës Universale, duke premtuar se do ta rinovojë. 


“Administrata e re e qytetit menjëherë do t’i zhbllokojë proceset për rinovim të Sallës Universale”, tha kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.

Nga Asociacioni i Arkitektëve thonë se ishin kontaktuar nga ana e Qytetit të Shkupit që në dhjetor të vitit të kaluar për ta dhënë mendimin e tyre lidhur me organizim konkursit për ndërtim të një objekti prej 36 mijë metrave katrorë. Sipas tyre, bëhet fjalë për objekt tepër të madh për këtë hapësirë dhe se i njëjti mund të ndërtohet tek kompleksi “Boris Trajkovski”


“Ideja kryesore e Asociacionit të Arkitektëve të Maqedonisë është të mbrohet kjo ndërtesë ose t restaurohet, sepse për momentin kemi një gërmadhë që ishte në gjendje të keqe para se të pushonte së punuari. Nuk punon tashmë 5 vjet. Morëm përgjigje nga Qyteti i Shkupit se ata nuk kanë fonde për një objekt të ri dhe për restaurimi të atij ekzistues. Kështu që unë do t’i kisha bërë një thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Veriore që të interesohet dhe të gjejë fonde, por nëse nuk ka fonde le t’i tregoj opinionit publik se nuk ka fonde dhe të ndalet me të gjitha këto thashethemet që i dëgjojmë këto ditë”, theksoi Martin Panovski nga Asociacioni i Arkitektëve.

Me reagim doli edhe Organizata Joqeveritare “Siti Skop”, prej ku thonë se Salla Universale është pjesë e simboleve të qytetit. Ata këmbëngulin se ideja duhet të tërhiqet.


“Humanizmi dhe solidariteti me të cilët është ndërtuar këtë qytet shihen edhe përmes shembullit të Sallës Universale. Është mbështetur financiarisht nga 25 vende, ishte projekt dhe ishte ndërtuar nga një kompani bullgare. Salla Universale është historia dhe identiteti i qytetit. Apelojmë deri te të gjithë aktorët dhe përkrahësit të bashkëngjiten në qëllimin për ruajtjen e Sallës Universale ose të paktën t’i bashkohen bojkotimit të këtij konkursi”, thonë nga Organizata Joqeveritare “Siti Skop”.   

Shilegovi arsyetohet se ky projekt nuk është përfundimtar dhe se është vetëm hyrje në debat për gjetje të një zgjidhjeje. Salla Universale është lëshuar në përdorim në janar të vitit 1966 me donacione nga shumë vende, si simbol i solidaritetit pas tërmetit shkatërrues që goditi Shkupin në vitin 1963. Kryetari i mëparshëm, Koce Trajanovski doli me projekt për rinovim të Sallës, por ishte krejtësisht i ndryshëm nga dukja origjinale e saj, gjë që ishte e papranueshme për opinionin publik, kurse kishte kërkesa edhe të riemërohet në “Toshe Proeski”.