“Ofendimi i gazetarëve është nënvlerësim i qytetarëve”! Gazetarë dhe punonjës të mediave marshuan nga Qeveria deri te Kuvendi

TË FUNDIT

“Ofendimi i gazetarëve është nënvlerësim i qytetarëve” ishte një ndër parullat në pankartat të cilat i mbanin në duar gazetarët dhe punonjësit në media.

Për të ngritur zërin kundër ofendimeve dhe përzierjes së politikës në gazetari, ata marshuan sot nga Qeveria deri tek Kuvendi.

Kryetari i SHGM-së Mlladen Çadikovski, u shpreh se zyrtarët e shtetit i nënvlerësojnë punëtorët mediatik. Sipas tij siguria e tyre nuk është në nivelin që duhet.

“Ligjet e rëndësishme për median nuk zbatohen, zyrtarët publikë kanë një qëndrim nënvlerësues ndaj gazetarëve dhe kameramanëve. PR-i i shtetit e ka marrë përsipër punën e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve, qeveria ka krijuar redaksinë më të madhe”, tha Mlladen Çadikovski, kryetar i SHGM-së.

“Duam të përcjellim një mesazh se në asnjë mënyrë nuk mund të na heshtin. Ne do vazhdojmë që të raportojmë në interes të qytetarëve, pavarësisht se ju na quani të shitur, na quani njerëz të ulët dhe çfarëdo lloj fyerjesh tjera”, tha Senat Zylbehari, nënkryetar i SHGM-së.

“Nuk kemi heshtur edhe kur na rrahën, na burgosën dhe kur i humbëm vendet e punës. Pikërisht e kundërta kur duan të krijojnë frikë e krijojnë një gjigand. Ata gjigandë jemi ne këtu sot”, tha Pavle Belovski, kryetar i Sindikatës së gazetarëve.

Këtë marsh e organizoi Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, e mbush 77 vjet të themelimit të saj, si dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Mediave.