Ofendime dhe kritika, ndërsa fushata ende nuk ka filluar

TË FUNDIT

Edhe pse fushata për zgjedhjet presidenciale ende nuk ka filluar, kundërshtarët politik këto ditë vazhdimisht po sulmojnë kandidatët për president. Nga VMRO-DPMNE edhe sot me kritika për Pendarovskin se ai paraprakisht nuk ka pranuar ndryshim të Kushtetutës, ndërsa tani kërkon që të pranohen ndryshimet kushtetuese që i kërkon Bullgaria.

“Pendarovski personalisht është përfaqësues kryesor i idesë për ndryshimin e Kushtetutës, edhe vetë ka thënë se ai ka qenë personi që ka negociuar aneksin që vetë e quan diktat bullgar. Kur Pendarovski gënjente, kur pohonte se është jashtë mendjes së shëndoshë që të ndryshohet Kushtetuta ose tani kur është lobisti kryesor për ndryshimin e Kushtetutës? A ka ndonjë qëndrim të cilin nuk e ka ndryshuar Pendarovski?”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Por as nga LSDM nuk mbetën pa kritikuar kandidatin e DPMNE-së. Thonë se Siljanovska Davkova po i zbaton politikat e VMRO-DPMNE-së për bllokimin e rrugës europiane të vendit.

“Atë që ofrojnë DPMNE dhe Siljanovska është që të heqim dorë nga e ardhmja, nga shpresa, të izolohemi dhe të përshëndetemi me çdo ndryshim të vërtetë dhe thelbësorë për një të nesërme më të mirë. Siljanovska Davkova rregullisht i zbaton politikat e DPMNE-së, të bllokadës dhe ndalimit të rrugës europiane në Kuvendin e Maqedonisë. Po rreshtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Kornizës negocuese për hyrje në BE. Qytetarët po e shohin se Siljanovska është reprizë e Ivanovit”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Për dallim nga ajo që dëgjuam edhe nga VMRO-DPMNE edhe nga LSDM, në bllokun politik shqiptarë është më qetë dhe nuk ka retorikë të tillë. Koalicioni që u reshtua pas kandidaturës së Taravarit nuk po e kritikon Osmanin, e as BDI-ja këtë gjë nuk po ia bën kandidatit të koalicionit VLEN. Ata kryesisht i drejtohen qytetarëve me kërkesë për mbështetje. Me tone më të qeta janë edhe nga partitë e kandidatëve të tjerë për president siç janë Biljana Vankovska, me mbështetjen e Levicës, Maksim Dimitrievski, kryetarë i ZNAM dhe Stevçe Jakimovski kryetarë i GROM-it.