Odat ekonomike kundër ngrirjes së çmimeve: Masa e tillë nuk është zgjidhje e tregut

TË FUNDIT

Odat ekonomike janë kundër ngrirjes së çmimeve. Kërkojnë që Qeveria të sjellë masa të tjera që nuk do të ndikojnë në sektorin e biznesit. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra, insiston që të ndërpritet masa e tillë.

Zoran Jovakovski, këshilltarë në Odën ekonomike, vlerëson se zgjidhja me ngrirjen e çmimeve nuk është zgjidhje e tregut.

“A është obligim i bukëpjekësit, prodhuesit të qumështit ose dikujt nga industria ushqimore që të kujdeset për statusin social të qytetarëve? Kur ju ngrini çmimin e bukës ju e ngrini për gjithë shoqërinë edhe për ata që janë në rrezik social edhe për ata që mund të paguajnë pesë herë çmim më të lartë. Pse ai që mund të paguajë pesë herë çmim më të lartë ta blejë bukën me çmim të ngrirë? Pse po e subvenciononi atë? D.m.th. zgjidhja me ngrirjen e çmimeve nuk është zgjidhje e tregut”, tha Zoran Jovanovski, këshilltarë në Odën Ekonomike.

Nga OEMV theksojnë edhe problemin i cili është vazhdimisht e më i pranishëm me mungesën e fuqisë punëtore. Përveç paralajmërimeve për import të punëtorëve nga vendet e huaja, kërkojnë edhe legalizimin e punës me vendet nga rajoni.

Zv.kryeministri Fatmir Bytyqi, deklaroi se kompanitë ankohen se shumë vështirë gjejnë punëtorë dhe se mungesa është rreth 10 mijë punëtorë. Zgjidhje sheh në importin e fuqisë punëtore nga vendet ku paga mesatare është 200 euro.