OBSH: Kthim dramatik i fruthit në Evropë

TË FUNDIT

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kumtoi se ekziston “kthim dramatik” i fruthit në Evropë, pjesërisht i ndihmuar me refuzimin e vaksinimit. Gati 90.000 persona janë sëmurë nga fruthi në gjysmën e parë të vitit 2019.

OBSH, agjencia shëndetësore e KB-së, në raportin thekson se numri i të sëmurëve nga fruthi është rritur dyfish nga janari deri në qershor në krahasim me vitin paraprak.

Qeveria gjermane muajin e kaluar propozoi që imunizimi i fruthit të bëhet i obligueshëm për fëmijët dhe të punësuarit në kopshtet dhe shkollat. Këtë vit janë regjistruar më shumë se 400 raste të fruthit në Gjermani.

Numri më i madh i rasteve është shënuar në Ukrainë, më shumë se 84.000, ndërsa pastaj vijnë Kazakistani dhe Gjeorgjia. Ministria e Shëndetësisë së Ukrainës bëri të ditur për tetë viktima nga sëmundja.

Komiteti i ekspertëve të OBSH-së kumtoi se Shqipëria, Çekia, Greqia dhe Britania e Madhe e kanë humbur statusin e shteteve ku është çrrënjosur fruthin.

Sipas vlerësimeve të OBSH-së, në vitin 2017 110.000 persona kanë humbur jetën nga fruthi në botë, shumica e tyre të moshës nën pesë vjeçare.