OBSH: Duhet të sigurojmë vaksinimin për të gjithë njerëzit

TË FUNDIT

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Gebrejesus, u bëri thirrje sot të gjitha vendeve të sigurojnë vaksinat kundër koronavirusit të jenë në dispozicion për më të rrezikuarit në të gjithë botën, jo vetëm në vendet e pasura.

Gebrejesus ka kërkuar që të dhurohen 4 miliardë dollarë për blerjen e vaksinave kundër Kovid-19 dhe shpërndarjen e tyre në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme përmes sistemit Kovaks.

“Kjo është një sfidë në të cilën duhet të përgjigjemi në vitin e ri,” theksoi Gebrejesus në video-mesazh, një ditë para shënimit të përvjetorit pasi Kina ia raportoi OBSH-së rastet e para të pneumonisë për arsye të panjohura.

Ai vlerësoi se vaksinat janë një shpresë e madhe për ndryshim gjatë pandemisë.

“Por që të mbrohet bota, ne duhet të sigurojmë vaksinimin për të gjithë njerëzit që janë në rrezik në të gjithë botën, jo vetëm në vendet që mund të furnizohen me vaksinën”; theksoi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.