Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, akuzoi Kinën se nepërmjet të frikësimit po tenton që të realizojë pretendimet e veta detare, në kurriz të fqinjëve në Azi.
Gjatë takimit që zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, Obama i konfirmoi atij vendosmërinë e Uashingtonit për të mbrojtur territorin japonezë, përfshirë këtu edhe Ishujt Senkako, në Detin Lindor të Kinës, të cilat pretendohen si nga Japonia, ashtu edhe nga Kina.
Obama me këtë rast theksoi se aleanca amerikano-japoneze nuk duhet të shikohet si një provokim ndaj Kinës, por gjithashtu tha se dëshiron të zbusë brengat e Tokios se a do të rreshtohej Uashingtoni përkrah Tokios, në rast të një konfrontimi eventual me Pekinin.
Presidenti amerikan me këtë rast qartësoi se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbrojtur Japoninë është absolut./21 Media/
