Nxënësit s’mund më të flejnë gjatë orës online, shkolla “Cvetan Dimov” trajnon profesorët për “Microsoft teams”

TË FUNDIT

“Kështu duket ora. Këtu t’i jep të dhënat. Nëse ndonjë fle, këtu ta jep se fle. Edhe nëse nuk punoni, do të shihet se ju nuk punoni”, sqaron trajnuesi i profesorëve.

Kështu do të duket një orë mësimore online në shkollën e mesme të qytetit të Shkupit “Cvetan Dimov” nga 1 tetori. “Microsoft teams” platforma që është unifikuar nga kjo shkollë, do të tregojë edhe nëse nxënësit do të flejnë gjatë mësimit. Platforma do të tregojë se sa orë i kanë mbajtur nxënësit dhe profesorët.

“Mund të kyçen 200 pjesëmarrës në të njëjtën kohë. Nuk ka kohëzgjatje të kufizuar”, sqaron trajnuesi i profesorëve.

Trajnimi që po u jepet profesorëve është vetëinciativë e vetë shkollës, tregoi drejtori Visar Durak. Tregon se procesi nuk është aq ideal sa do të duket. Internetin po mundohen ta forcojnë, por e frikëson se si do të arrijë mësimi deri në shtëpitë e nxënësve.

“Shumica e fëmijëve të gjithë duan të vijnë me prezencë fizike. Kjo është evidente. Nuk ka nevojë të bëjmë anketa, sepse të gjithë e dimë se opinioni është për prezencë fizike por Komisioni për sëmundje ngjitëse nuk na lejon. Ne kemi disa të dhëna për nxënësit dhe familjet të cilët nuk kanë mundësi të kyçen apo nuk kanë tabletë apo kompjuter. Në fazën e parë kanë qenë diku 30 nxënës që kanë pasur pengesa”, tha drejtori Visar Durak.

Shkolla nuk ka mundësi t’u sigurojë nxënësve pajisje, prandaj shtrohet pyetja: A do të përjashtohen këto nxënës nga shkolla?

E pyetëm të parin e Shkupit, Petre Shilegov dhe ai premtoi, se asnjë nga 24 mijë nxënësit e shkollave të mesme nuk do të diksriminohet nga mësimi premtoi ai.

“A keni mjete për këto nxënës? Do të gjejmë mjete, do të gjejmë. Shumë është me rëndësi se për çfarë i shpenzoni mjetet publike. Të jenë edhe 10 për qind, është e pakuptueshme si njeri dhe si kryetar të mos mund t’i ndihmojmë 2 mijë familje për të blerë mjet elektronik që të mund fëmija të ndjek mësimin pandërprerë. Për çdo gjë mund të mos ketë pare, për këtë do të ketë”, premtoi Shilegov.

Mësimi në shkolla të mesme realizohet online, pasi siç kanë sqarur autoritetet shëndetësore kjo kategori e nxënësve mund të menaxhojë me mjete teknologjike dhe nga ana tjetër grupohen më shumë në mes vete.

Shkolla “Cvetan Dimov” ka edhe paralele mjekësore. Që kur është paraqitur virusi Kovid-19 ata nuk kanë realizuar praktikë në spitale, dhe ende nuk dihet se nëse të njëjtën do ta bëjnë edhe pas 1 tetori.