Përfundimisht pas më shumë se 5 javë grevë nesër nis procesi mësimor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë. Ministria e Arsimit tha se që nesër do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla. Kjo Ministri i ka ftuar për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithë për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës.
Mainistrja e arsimit Arbërie Nagavci, në një postim në rrjet social ka kërkuar rritje në cilësinë e arsimit duke shtuar numrin e inspektorëve në arsim, për vlerësimin e performances së mësimdhënësve.
“Në mbledhjen e 99 të Qeverisë, kemi votuar komisionin intervistues, për rekrutimin e 20 inspektorëve dhe shumë shpejt do të hapet konkursi. Edhe për vitin e ardhshëm kemi planifikuar të pranojmë 20 inspektorë tjerë të arsimit”, ka shkruar ministrja Nagavci ne Facebook.
Kryetari i sindikatës së bashkuar të arsimit, Rrahamn Jasharaj i tha RTV21 se janë kundër testit me shkrim të njohurive të punëtorëve arsimor, derisa mirëpret vendimin për shtimin e inspektorëve. Jasharaj foli edhe për orët e humbura për të cilat tha se nuk kompensohen duke bërë të ditur kontratën që ka Ministria e Arsimit me sindikatën e bashkuar te arsimit.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht nisi grevën në sektorin publik dhe e pezulloi ate te shtunën përkohësisht dhe në rast mosplotësimi të kërkesave grevat do të rikthehen në janar. Ata po kërkojnë miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.
