Nxënësit e Vizbegut mbeten pa transport. Kryetari i Çairit dhe ai i Butelit fajin ia hedhin njëri-tjetrit

TË FUNDIT

Nxënësit e lagjes Vizbeg të Shkupit, që mësojnë në shkollat e Komunës së Çairit, nga dita e hënë nuk do të kenë transport, paralajmëroi Kryetari i kësaj komune Visar Ganiu, për shkak se, siç tha, nga kriza ekonomike i kanë borxh kësaj Ndërmarrjet së Qarkullimit Publik.

“Mbi 6 milionë denarë brenda një viti ne paguajmë për shkollimin e këtyre nxënësve, gjegjësisht për transportin e tyre. Për këtë situatë janë të informuara me kohë të gjitha institucionet shtetërore përkatëse, dhe kemi kërkuar rritje të bllok-dotacioneve por përgjigje deri më tani nuk kemi.  Një vit më parë kemi nënshkruar marrëveshje që e publikuam në të gjitha mediat dhe ishte hera e parë bashkërisht t’i ndajmë shpenzimet për ata nxënës por Komuna e Butelit kësaj marrëveshje nuk iu përmbajt”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Kryetari i Butelit, Darko Kostovski, shprehet që edhe Komuna që ai e drejton, paguan transport për nxënësit të cilët mësojnë nga Çairi në Butel.

“Unë i bëj thirrje Komunës së Çairit dhe Visar Ganiut, që t’i tejkalojnë kalkulimet politike dhe ta bëjnë atë që e kanë bërë edhe vitin e kaluar, ta përfundojnë pjesën e detyrimeve të tyre.  Po ua them përsëri, që mos të duket se ata fëmijë jetojnë në Komunën e Butelit dhe nuk paskemi përgjegjësi. Do ta përsëris, për këta fëmijë të Komunës së Çairit që mësojnë në Komunën e Butelit ne e paguajmë transportin, tha Darko Kostovski”, kryetar i Komunës së Butelit.

Kryetari i Komunës së Butelit shprehet se marrëveshja me NQP-në ka qenë për të paguar me këste dhe beson që për disa muaj do të paguhet.