Nxënësit e Llojanit pinë ujë të kontaminuar me arsen?! Debat i nxehtë mes Nexhmedin Sadikut dhe Erkan Arifit në Hajde Flasim

TË FUNDIT

Debati i radhës në TV21 u zhvillua mes kandidatëve për komunën e Likovës, Erkan Arifit dhe Nexhmedin Sadikut.

Kandidatët debatuan për ujin e pijshëm, që siç tha Nexhmedin Sadiku “Likova ka dy penda, por nuk ka ujë të pijshëm në objektin e komunës, çerdhe e shtëpi shëndeti” ndërkohë që shtoi se “nxënësit e shkollës “Rilindja” në Llojan dhe Vakcinsë pinë ujë me përmbajtje të arsenit pesë fish më shumë se sa norma e lejuar.

Në anën tjetër, Erkan Arifi tha se “në nëntë fshatëra kanë përufnduar punimet e rrjetit primar dhe sekondar” që siç shtoi, pritet vetëm kyçja nëpër shtëpi pasi qytetarët të dorëzojnë kërkesa dhe të lidhin kontratat

“A është uji që e pinë nxënësit me përmbajte helmuese? Pse nuk vendosen tabela që ai ujë nuk duhet të pihet? Pse hudhet dyshim në institucione relevante për rezultatet e ujit? Këto janë shumë serioze. Si komunë është dashur ta bëjnë këtë dhe mos t’i lejojnë fëmijët të pinë ujë të dëmshëm për shëndetin. Së paku është dashur tu dërgohet një cisternë me ujë të pastër, të dërgohet ujë në plastika, të mbrohet shëndeti i nxënësve”, tha Sadiku.

“Ujësjellësi për fshatin Llojan është çështje e kryme, ujësjellësi për fshatin Vakcinsë është çështje e kryme. Uji nga penda ka arritur deri te rezervuarët ekzistuese. Për të lëshuar ujin në fshat duhet të ketë kërkesë nga banorët. Duhet të ketë kontratë të lidhur me banorët. Jemi në kontakt të përditshëm me qytetarët. Nuk mund ta lëshosh ujin vetëm për një shtëpi ose një institucion”, tha Arifi.