Numri i të infektuarve me Covid-19 po ulet, të respektohen masat

TË FUNDIT

Deri më tani ka gjithsej 20.278 raste aktive të KOVID-19 në vend. Megjithëse numri i të diagnostikuarve të rinj po zvogëlohet dhe po evidentohen gjithnjë e më shumë të shëruar, përsëri regjistrohen rreth 20 vdekje në ditë. Dje janë regjistruar 530 raste të reja me KOVID-19, 538 të shëruar dhe 26 viktima nga 1999 teste të bëra. Autoritetet në mënyrë të përsëritur kanë bërë thirrje që të respektohen masat e mbrojtjes ndaj koronavirusit. Këtyre ditëve intensifikohen thirrjet për kremtim të ndërgjegjshëm të festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve, pa grupime të mëdha për të mos e rrezikuar shëndetin publik.

Ministria e Shëndetësisë kumtoi se në vend janë gjithsej të hospitalizuar 1045 pacientë me Kovid-19 dhe ka rreth 300 shtretër të zbrazët. Në qendrat kovid në spitalet në të gjithë vendin është raportuar se mjekohen gjithsej 631 pacientë.

Sipas raporteve të spitaleve që arrijnë në Ministrinë e Shëndetësisë, në spitalet në Manastir janë hospitalizuar 44 pacientë pozitiv dhe te dyshuar në Kovid-19. Në spitalet në Shtip janë hospitalizuar 57 pacientë. Në repartin infektiv në Tetovë ka 36 pacientë, në Veles trajtohen 35 të sëmurë, ndërsa në Kumanovë 95 pacientë pozitiv dhe të dyshuar në Kovid-19. Në kovid- qendrat në Ohër ka 65 pacientë të hospitalizuar, në Prilep 72, në kovid- qendrat në Gostivar 35, ndërsa në Strugë 36 të sëmurë. Në spitalin e Strumicës janë hospitalizuar 61 pacientë, në Koçan 19, Kërçovë 20, Kavadar 36, në Gjevgjeli 19, ndërsa në Dibër gjashtë persona pozitiv dhe të dyshuar në koronavirus.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në profilin e tij në Fejsbuk ka njoftuar se MPB ka plan të posaçëm operativ natën e 31 dhjetorit si dhe për ditën e nesërme, më 1 janar.

Spasovski edhe njëherë ka apeluar për kremtim të ndërgjegjshëm, pas grupime të mëdha dhe rrezikim të shëndetit publik. Paralajmëron se nëse dikush drejtpërdrejtë e rrezikon shëndetin e qytetarëve do të duhet të bart përgjegjësi.

“Janë zhdukur thirrjet për kremtime nëpër vikend- shtëpiza për fundvit pasi filluam me apelet dhe kontrollet përmes Sektorit për parandalim pranë MPB-së. Prania policore çdoherë ka qenë e përforcuar rreth fundvitit dhe festat tjera gjatë janarit pasi është me rëndësi të ruhet rendi publik dhe qetësia dhe këtë e tregoi numri i vogël i paraqitjeve dhe incidenteve vitin e kaluar. Kemi plan të posaçëm operativ për natën e 31 dhjetorit si dhe për ditën e 1 janarit, prandaj apeloj për kremtim të ndërgjegjshëm pa grupime të mëdha dhe rrezikim të shëndetit publik dhe nëse dikush drejtpërdrejt e rrezikon shëndetin e qytetarëve do të duhet të bart përgjegjësi”, ka shkruar ministri Spasovski.

Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve në vend që nga fillimi i epidemisë është 81425, numri i pacientëve të shëruar është 58720, numri i viktimave është 2427. (MIA)