Nuk ndalen su’lmet ruse në Odesa, dronët godasin zonat e banuara

TË FUNDIT

Sulmet ruse nuk kanë të ndalur. Një sulm me dron gjatë natës ka lënë të vdekur një grua në Odesa, në jug të Ukrainës, konfirmuan autoritetet lokale.

Sipas kreut të administratës ushtarake rajonale të Odesës, Oleh Kiper, një nga dronët goditi një zonë banimi, duke shkaktuar shembjen e çatisë së një shtëpie familjare.

“Fatkeqësisht, një grua ka vdekur si pasojë e sulmit”, bëri të ditur Kiper përmes një postimi në Telegram.

Ndërkohë, sulme janë raportuar edhe në rajonin e Zaporizhias. Kreu i komandës ushtarake lokale, Ivan Fedorov, njoftoi për një tjetër viktimë dhe tre persona të plagosur gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e bastisjeve ruse në zonat e Zaporizhias dhe Polokhiv.

Sulmet e fundit ndodhin në një moment të ndjeshëm diplomatik. Për javën e ardhshme janë paralajmëruar bisedime të reja mes Moskës dhe Kievit, të planifikuara të zhvillohen në Gjenevë, nën patronazhin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Konflikti i armatosur në Ukrainë ka hyrë në vitin e katërt, ndërsa përpjekjet për një zgjidhje diplomatike vazhdojnë mes tensioneve të vazhdueshme në terren.