“Nuk ka pasur qëllim për dh’unë ndaj foshnjës” – Memedi: Mavijosjet janë shkaktuar gjatë marrjes së gjakut për analiza

TË FUNDIT

Infermierja nuk ka pasur qëllim që ta lëndojë foshnjën, ndërsa mavijosjet kanë ndodhur gjatë marrjes së gjakut për analiza, thotë drejtori i Spitalit të Fëmijëve, Rexhep Memedi. Ditët e fundit opinioni u shqetësua nga akuzat e prindërve se një infermiere i kishte mavijosur krahun për shkak se nuk kanë ditur të flasin në gjuhën maqedonase, por më pas disa mjekë njoftuan se foshnja ka trombocitopeni, që do të thotë numër i ulët i trombociteve, që çon në mavijosje në krah. Drejtori Memedi tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim të foshnjës, për çka edhe vetë prindërit kanë pasur një takim me infermieren.

Infermierja nuk ka pasur absolutisht asnjë qëllim për të shkaktuar lëndime, por ato hematoma, pra mavijosje në dorën e djathtë, kanë ndodhur gjatë procedurës së marrjes së gjakut nga vena për analizë më 11 korrik 2024, që është kryer nga dy infermiere. Si rezultat i presionit mekanik, hematomat u shfaqën në pjesën e sipërme të krahut dhe parakrahut të djathtë. Mendojmë se me shumë gjasa, në thelb, arsyeja e alarmimit të rastit nga prindërit është një keqkuptim mes gjyshit të fëmijës dhe infermieres”, tha Rexhep Memedi.

Edhe ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, i cili paraprakisht vizitoi familjen e foshnjës, thotë se më shumë bëhet fjalë për pakujdesi të infermiereve sesa për rast të qëllimshëm. Tha se është hapur procedurë disciplinare, ndërsa paralajmëroi edhe masa të sjella nga Komisioni që e shqyrtoi rastin.

“Kuadri mjekësor duhet të jetë shumë i kujdesshëm me të gjithë pacientët, pa marrë parasysh përkatësisë etnike, posaçërisht me fëmijët. Shpresoj se masat që i do i ndërmarrë komisioni së bashku me drejtorin do të jenë efektive. Nuk ka prova se është bërë qëllimisht diçka e tillë, unë thashë edhe në fillim, të jemi të kujdesshëm dhe të dëgjojmë të dy palët. Nuk besoj se ekziston punëtorë shëndetësor i cili është i gatshëm të lëndojë foshnjë tremujashe”, deklaroi Taravari.

Me reagim doli edhe Shoqata e infermiereve prej ku thonë se rastet të cilat nuk janë dëshmuar nuk duhet të njollosin personelin mjekësor, posaçërisht infermieret.