Kritika të hapura dhe mesazhe të qarta për gjendjen me luftën kundër korrupsionit në vend, dërgoi zëvendësshefi i misionit të SHBA-ve, Erik Mejer. Ndoshta i nxitur nga lista e zezë e paralajmëruar mbi të cilën punoi ekipi amerikan për sanksione, ai tha se të gjithë politikanë që janë të korruptuar duhet të përgjigjen dhe se qeveria amerikane ka mënyra se si ta bëjë këtë.
“Ambasada e SHBA-ve ishte e sinqertë dhe e hapur në lidhje me sfidat dhe mungesat, i ka shumë të tilla në këtë vend. Ambasadat e huaja nuk janë autoritete vendore dhe ne nuk jemi organe për zbatimin e ligjit. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që aktorët e korruptuar të përgjigjen.”- deklaroi Erik Mejer, zëvendësshef i misionit të SHBA-ve.
Funksionarët e zgjedhur duhet të luftojnë për elektoratin e tyre e jo për interesin e tyre, tha Mejer, i cili foli në mënyrë të drejtpërdrejt dhe me kritika për gjendjen në gjyqësor duke rikujtuar për besimin e ulët të qytetarëve në të.
“Institucionet dhe gjyqësori duhet të funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente, ndërsa tani për tani nuk veprojnë kështu. Bëhet fjalë për diçka më të thellë, unë po flas këtu për reforma të vërteta që nënkuptojnë më shumë se ndryshimi i thjeshtë i ligjeve. Reformat e vërteta kanë të bëjnë me ndryshimin e kulturës. Duhet të veprohet në emër të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ne nuk kemi parë një angazhim të tillë.”- pohoi Erik Mejer, zëvendësshef i misionit të SHBA-ve.
Zv/kryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska tha se korrupsioni po e minon sistemin dhe e rrëzon besimin te gjyqësori.
“Pavarësia e gjyqësorit që e garanton Kushtetuta, pavarësia e institucioneve të tjera që i garanton Kushtetuta, nuk është privilegji dhe nuk duhet të kuptohet si privilegji, as nuk duhet të kuptohet si arsyetim për sjellje sipas dëshirës së vet. Fuqishëm po angazhohem për avancimin e transparencës në të gjitha sferat, sidomos në sistemin e drejtësisë, për shkak se vetëm në këtë mënyrë do ta rrisim përgjegjësinë dhe llogaridhënien para qytetarëve.”- deklaroi Sllavica Gërkovska, zv/kryeministre për Qeverisje të Mirë.
Gjendja me korrupsion dje ishte tema e takimit të këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të shtetit Derek Shole me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Sipas presidentit Stevo Pendarovski shteti ka progres në luftën kundër korrupsionit dhe sipas Transparency International tani është për 24 vende më lart në listë, por shtoi se kjo nuk mjafton sipas standardeve europiane.
