Nuk ka lëshime me Bullgarinë, thotë Kovaçevski/ Bërnabiq: Përkrahje për Maqedoninë e Shqipërinë për fillim të bisedimeve

TË FUNDIT

Serbia me përkrahje të plotë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për eurointegrimet duke apeluar vazhdimisht se duhet të përshpejtohet procesi për fillimin e bisedimeve me BE-në, theksoi kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq. Kjo, sipas saj, do të japë sinjal pozitiv edhe për vendet e tjera të rajonit mes të cilëve është edhe Serbia, e cila tashmë me vite të tëra është në negociata megjithatë pa asnjë progres.

“Republika e Serbisë me të vërtetë jep përkrahje të sinqertë për eurointegrimet e RMV-së dhe çdo herë kur bisedojmë me partnerët tanë evropianë për integrimet tona evropiane në çdo takim dhe me çdo rast apelojmë që të përshpejtohet rruga e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së për shkak se ky sinjal është pozitiv, shumë i domosdoshëm dhe i rëndësishëm”, deklaroi Ana Bërnabiq, Kryeministre e Serbisë.

Para dy ditëve diplomati parë i BE-së, Zhozel Borel porositi se duhet të bëhet presion, për shkak se mosfillimi i negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë mund të shkaktojë krizë në rajon dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet në qershor. Megjithatë, nuk ka shanse të mëdha që Maqedonia dhe Bullgaria brenda një muaji ta zgjidhin çështjen që e imponoi Sofja zyrtare, ndërsa kryeministri Kovaçevski tha se nuk është i gatshëm që të bëjë lëshime, megjithatë zgjidhja e pranueshme për të dyja palët, e cila tani për tani ende nuk është arritur, të bazohet në vlerat evropiane.

“Unë e pashë deklaratën e nënkryetarin e Komisionit evropian, Borel dhe dua të besoj se në këtë mënyrë, me deklarata të këtilla, do të ndikohet që procesi të intensifikohet megjithatë po ashtu dua të besoj se në vend të fjalëve dhe deklaratave do të kalojmë në zbatim operativ dhe në organizim të konferencës së parë ndërqeveritare për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Çështja për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në përsëri do të gjendet në tryezë më 22 qershor në Këshillin e BE-së, ndërsa vetëm Bullgaria e bllokon procesin e eurointegrimeve të vendit tonë.