Do të kërkohet mendim nga Këshilli për Etikë dhe nga koordinatori i Gjykatës Themelore të Kavadarit për rastin në të cilin së fundmi kryetari i gjykatës, Llazar Nanev bashkë me prokuroren Fatime Fetai dhe ministrin e Drejtësisë, Nikolla Tupançevski mori pjesë në ndeshjet ku Maqedonia i luajti me Italinë dhe Portugalinë.
Këtë e deklaroi kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska, e cila tha se ky organ gjyqësor nuk është kompetent për të diskutuar mbi këtë rast. Nuk mund të hapim procedurë për shkarkim, sepse ligji na kufizon, shpjegon ajo.
“Ne si Këshill Gjyqësor nuk kemi kompetencë që të kontrollojmë punën e pandërgjegjshme dhe joprofesionale të një kryetari të gjykatës dhe ta shkarkojmë. Prandaj, vendosëm ta angazhojmë koordinatorin përgjegjës për Gjykatën Themelore të Kavadarit që ai të kërkojë informacione nga kryetari i Gjykatës. Njëkohësisht do t’i drejtohemi edhe Këshillit për Etikë pranë Shoqatës së gjykatësve, sepse vetëm ai mund të japë mendime”, tha Cërvenkovska.
Cërvenkovska në takimin e sotëm me gazetarët foli edhe për punën e gjykatave. Edhe pse një pjesë prej tyre nuk angazhohen mjaftueshëm, kryetarja e Këshillit gjyqësor vlerësoi se gjyqësori në përgjithësi punon siç duhet. Ndër ata që i vlerësoi si të paangazhuar mjaftueshëm është edhe Gjykata supreme.
“Gjykatat në 2021 kanë arritur t’i përpunojnë lëndët dhe e kanë ulur numrin e lëndëve të vonuara për 2.256. Sipas vlerësimit të Këshillit gjyqësor, në përgjithësi, gjyqësori është angazhuar mjaftueshëm. Edhe pse nga 34 gjykata, 15 punojnë në mënyrë të mjaftueshme, 19 nuk punojnë mjaftueshëm, ndër tyre janë Gjykata supreme dhe 4 gjykatat e Apelit dhe 15 gjykata themelore”, shton Cërvenkovska.
Cërvenkovska tha se gjatë vitit 2021 janë zgjedhur 6 gjykatës në gjykatat themelore dhe 6 kryetarë të gjykatave- në Gjykatën Supreme, Gjykatën Administrative dhe në 4 gjykatat themelore. Njëkohësisht tha se janë shkarkuar 7 gjykatës prej të cilëve 5 për shkak të kryerjes së detyrës në mënyrë të papërgjegjshme dhe joprofesionale dhe 2 për shkelje të rëndë disiplinore.
