Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë ka informuar se nuk ka ndonjë epidemi në rajonin e Tetovës që u përfshi nga vërshimet dhe se gjendja është stabile.
“Institucionet përgjegjëse vazhdimisht po ndjekin situatën. Pas vërshimeve në rajonin e Tetovës, nuk është regjistruar rritja e numrit të intervenimeve apo shërbimeve mjekësore nëpër qendrat publike shëndetësore, ndërsa ekipet mjekësore kanë reaguar vetëm në disa raste të izoluara”, deklaroi Ministria e Shëndetësisë, raporton INA.
Po ashtu konfirmohet se pas analizave të ujit, gjithçka është në rregull dhe se uji i pijshëm është në rregull, derisa në zonat rurale ndalet shfrytëzimi i ujit për pije.
Po ashtu është kryer dezinfektimi i një hapësire prej 25 mijë metra katror dhe se vazhdimisht po ndahen tableta për dezinfektimin e sistemit të ujësjellësit.
Ministria ka dhënë rekomandime për shfrytëzimin e ujit për nevoja higjienike dhe pastrim.
