Ekipi amerikan i sanksioneve i cili me ardhjen e tij në vendin tonë i rriti shpresat se më në fund do të ketë ndonjë lëvizje sa i takon problemit me korrupsion, këto ditë u largua nga vendi pa asnjë paralajmërim ose informacion lidhur me atë se cili ishte misioni i vizitës së tyre. Nga Ambasada amerikane thonë se ata kanë grumbulluar të dhëna për rastet e korrupsionit të lartë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara që t’u bëjnë thirrje për përgjegjësi personave që janë përfshirë në korrupsion të lartë dhe do të vazhdojnë t’i përdorin të gjitha mjetet e disponueshme për të luftuar korrupsionin në nivel global. Përmes identifikimit nga ana e organeve të pushtetit, ShBA-të mund të promovojnë përgjegjësi për zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm të Qeverisë që janë pjesë e korrupsionit”, thonë nga Ambasada e SHBA-ve.
Zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska nuk është takuar me ekipin amerikan dhe shton se as nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë. Njëkohësisht, thotë se nuk ka asnjë informacion se cili ishte misioni i këtij ekipi dhe na drejtoi që të kërkojmë përgjigje nga Ambasada amerikane në vend.
“Nuk jam takuar me ekipin dhe mendoj se nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë. Supozoj se ai ekip ka pasur detyrën e vet me qëllimet e veta për të cilat kanë ardhur këtu. Kjo nuk është një pyetje për të cilën do të mund të jap përgjigje. Ju drejtoj që për këtë të pyesni në Ambasadën amerikane”, pohoi Sllavica Gërkovska, zëvendëskryeministre për Qeverisje të Mirë.
Euroambasadori Dejvid Gir në konferencën e sotme rajonale për luftë kundër korrupsionit, tha se në vend të fjalëve të bukura, duhet aksion konkret për parandalimin e kësaj të keqeje.
“Të rinjtë largohen nga rajoni, ndërsa njëkohësisht hulumtimet e tregojnë efektin shkatërrues të korrupsionit në arsim dhe ndaj të punësimeve, si faktor kyç që i nxit ata që të largohen. Korrupsioni është sfida e çdo vendi, në çdo vend përpjekjet kundër korrupsionit duhet vazhdimisht të avancojnë dhe t’u adaptohen sfidave dhe mundësive të reja me të cilat po ballafaqohet shoqëria”, theksoi Dejvid Gir, auroambasador.
Zëvendës shefi i misionit të ambasadës amerikane, Erik Meer rikujtoi se presin rezultate në pajtueshmëri me ndihmën prej 10 milionë dollarëve që SHBA-të i investuan në Maqedoni për luftë kundër korrupsionit.
“Çdo vend është përgjegjës që të veprojë dhe është përgjegjës për obligimet që i ka ndërmarrë përsipër. Pa këtë, udhërrëfyesi nuk është asgjë tjetër përveç planit strategjik të jo zbatuar që i lë qytetarët të zhgënjyer. Ne presim rezultate pas 10 milionë dollarëve që i investuam në sektorin për luftë kundër krimit në Maqedoninë e Veriut dhe ajo që është më e rëndësishme, ne e ndjekim përkushtimin e këtillë”, pohoi Erik Meer, ambasada e SHBA-ve.
Sipas shefes së Sektorit për krim të organizuar dhe korrupsion të Britanisë së Madhe, pavarësia e gjyqësorit dhe profesionalizmi është pjesa e rëndësishme për luftën kundër korrupsionit.
“Pavarësia politike, gjyqësore dhe operative duhet të jenë prioritet i parë në rajon. Përforcimi i profesionalizmit të institucioneve shtetërore është i rëndësishëm për përgjigje efikase në luftë me krimin”, pohoi Suzi Dajkin, shefe e Sektorit për krim të organizuar në Britani.
Në Indeksin e fundit për perceptim të korrupsionit të Transparencz International 2021, Maqedonia u rendit në vendin e 87-të, krahasuar me vitin 2020 kur ishim në vendin e 111-të.
