Nuk gjen dot ilaçe për djalin 3 vjeç. Mungesë terapie për fibrozën cistike

TË FUNDIT

Elmir Sejfullahi është prind i një djali 3 vjeçar me fibrozë cistike. Thotë se me muaj nuk ka barna bazë me të cilat sëmundja mbahet nën kontroll.
“Gati 3-4 muaj nuk ka barna bazë me të cilën kontrollohet sëmundja, gjithashtu nëpërmjet komunikimit me prindër të tjerë, por edhe me të rriturit të cilët ballafaqohen me këtë sëmundje dëgjojmë që ka mungesë të “Kreonave”, tha prindi Elmir Sejfullahi.

Nga mungesa e terapive rrezikohen që personave me fibrozë cistike t’u përkeqësohet gjendja. Sejfullahi tregon se si ia bën për gjetjen e barnave.
“Realisht ne ndihmojmë njëri-tjetrin, domethënë ata rezerva të cilat ne i kemi grumbulluar gjatë periudhës kohore kur kishte terapi sepse gjitha këto barna janë në listën pozitive dhe normalisht e ndihmojmë njëri tjetrin me ato medikamentet të cilat janë bazë por megjithatë ka prind të cilët i paguajnë p.sh. një paketim i kolestinit i cili zgjat jo më shumë se 3 javë kushton 400 euro”, shtoi Sejfullahi.

Për këtë problematikë TV21 para disa ditësh kontaktoi me Ministrinë e Shëndetësisë për të pyetur se pse ka mungesë të terapive dhe kur do të ketë ilaçe por deri sot nuk kemi marrë përgjigje.

Në Maqedoninë e Veriut rreth 130 persona janë me fibrozë cistike. Shumë pacientë, për shkak të vështirësive që hasin në vend, detyrohen që të largohen edhe nga shteti, vetëm për të siguruar barnat.