“Çështja e termit 20% është çështje etikete, nuk ka të bëjë me përmbajtje”, kështu tha në Click Plus nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, deklaratë për të cilën i reagoi i pari i LD-së, Izet Mexhiti duke thënë se “Nuk është as e saktë as e vërtetë se ‘20%’ është etiketë që nuk përcakton përmbajtjen. Përkundrazi, përmbajtja kushtëzohet nga ‘20%”, shkruan TV21.
Siç tha Mexhiti, me relativizime të tilla, për 20 vite nuk është arritur të sigurohet bazë juridike për barazi të plotë gjuhësore mes shqipes dhe maqedonishtes, ndërkohë shtoi se, me gjuhën shqipe janë bërë pazare politike dhe kaosi i shkaktuar është vetëm pasojë e pazareve për pushtet.
“Prandaj, kur sot përpiqen të ngrejnë dofarë alarmesh për gjoja se zhbërjen e shqipes, unë vetëm do t’i pyes publikisht:
Sa funksionarë të tyre dhe sa fëmijë funksionarësh e kanë dhënë provimin e jurisprudencës në maqedonisht dhe pse?
Përse udhëzimet, historitë, anamnezat dhe shkresat tjera medicinale vazhdojnë të jenë vetëm ne maqedonisht dhe asnjëherë nuk kanë qenë edhe në shqip?
Përse Banka popullore si edhe bankat komerciale nuk e kanë komunikimin e shkruar edhe në shqip, përpos maqedonishtes?!
Përse Katastri nuk ka evidencë dhe nuk lëshon fleta pronësie, çertifikata e vërtetime edhe në shqip?!
Në cilën gjuhë punon administrata e qytetit të Shkupit?!
Çfarë gjuhe përdorin avokatët, noterët dhe përmbaruesit në punët e tyre? A kanë të drejtë që në procedura dhe në komunikim të shkruar ta përdorin gjuhën shqipe?!
Këta janë vetëm disa shembuj që shpjegojnë në praktikë çfarë përmbajtje dhe çfarë statusi i kanë dhënë për dy dekada gjuhës shqipe. Mjaft e gënjyet popullin nëpër studio televizive”, ka shkruar Mexhiti.
