“Nuk e dinë si jam në aksion”,  zbardhet një pjesë e bisedës mes Epstein dhe Lajçak

TË FUNDIT

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka publikuar së fundmi mbi tre milionë dokumente nga dosja e Jeffrey Epstein, financierit të ndjerë amerikan të akuzuar për krime seksuale, duke hedhur dritë mbi kontaktet e tij me figura të njohura politike dhe publike.

Mes emrave të përmendur në dokumentet e publikuara është edhe ai i Miroslav Lajçak, politikan sllovak dhe ish-i dërguar special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi. Sipas mediave që kanë analizuar materialet, përfshirë gazetën sllovake Dnevnik N, mesazhet e vitit 2018 sugjerojnë një marrëdhënie më të afërt mes Lajçakut dhe Epstein sesa ishte deklaruar më herët.

Dokumentet tregojnë se komunikimi mes tyre nuk kufizohej vetëm në tema politike apo diplomatike, por përfshinte edhe biseda me tone personale dhe shaka, përfshirë referenca për gra dhe udhëtime në qytete si Kievi dhe Moska. Në disa mesazhe të cituara nga mediat, Epstein shfaqet duke bërë komente provokuese, ndërsa Lajçaku përgjigjet me tone ironike.

‘Mos u bë i keq. Nuk e dinë si jam në aksion’, i përgjigjej Lajçakut, sipas gazetës Dnevnik N.

Emri i Lajçakut përmendet qindra herë në dokumente, ndërsa Epstein thuhet se e thërriste shpesh me nofkën “Miro”. Një pjesë e komunikimeve datojnë nga periudha kur Lajçaku ushtronte funksionin e Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe qëndronte shpesh në New York.

Pas publikimit të këtyre dokumenteve, mediat sllovake raportuan se Lajçaku ka dhënë dorëheqjen nga posti i këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë. Megjithatë, ai i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se kurrë nuk ka komunikuar me Epstein për gra dhe se kontaktet e tyre kanë qenë të natyrës profesionale.

Autoritetet amerikane nuk kanë bërë të ditur nëse publikimi i dokumenteve do të pasohet nga hetime të reja ndaj personave të përmendur, ndërsa çështja vazhdon të shkaktojë reagime të shumta në opinionin publik ndërkombëtar.