Nuk duan rrugë të re sepse e humbin gjysmën e oborrit, Qyteti i Shkupit thotë se e kanë uzurpuar tokën shtetërore

TË FUNDIT

Banorët e rrugës “Ho Shi Min“ në Butel të Shkupit u ngritën në protestë pasi nuk duan që para shtëpive të tyre të hapet shteg për një rrugë të re. Kjo për shkak se për shtrimin e kësaj rruge do të duhet edhe një pjesë e oborreve të shtëpive të tyre, gjysma e të cilëve oborre në fakt është në pronësi të shtetit, por për këtë banorët thonë se me vite paguajnë tatim.

“Qyteti i Shkupit dëshiron të bëjë rrugë në oborret tona. Ajo është e vërtetë që ne e përdorim tokën e shtetit, por e kemi të lejuar me dokumente, ka njerëz të cilët e kanë blerë tokën. Ne nuk kërkojmë asgjë nga Qyteti i Shkupit, duam ta ndryshojnë trasenë e rrugës”, tha Mustafa Ajredini, banor i Butelit.

“Askujt nuk i kam marrë asgjë, shteti ma ka dhënë me dokument, kam paguar tatim, nëse duan ta marrin le të japin afat më të gjatë”, theksoi Burkova Nevena, banore e Butelit.

“Ne nuk do të lejojmë këtu të bëhet rrugë assesi, do të bëjmë probleme sa të duhet, do t’i parkojmë makinat, do t’i nxjerrim fëmijët. Rruga këtu nuk bëhet, e lusim shtetin të mos na bëjë probleme, mos të na e prishë rahatinë e kësaj jete që e kemi”, poho Irfan Dalipi, banor i Butelit.

Në mbështetje të tyre doli edhe kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili është nga radhët e VMRO-DPMEN-së. U shpreh se do të kërkojë nga Qyteti i Shkupit që ta ndryshojë këtë rrugë me qëllim që të mos jetë afër shtëpive.

“Kërkojmë si komunë ta ndryshojë, komuna e Butelit që në mëngjes do të dërgojë një shkresë deri te Qyteti i Shkupit. E lusim edhe ne si komunë ta ndryshojë trasenë. Mendoj që ajo nuk do ta dëmtojë askënd, mund të marrë pak kohë por unë si kryetar lirisht mund të them se kjo rrugicë nuk ka kushedi se çfarë rëndësie që ata ta bëjnë ashtu siç duan ata. Ju uluni këtu për një kohë më të gjatë, shiheni që nuk është e frekuentuar, ashtu siç dikush dëshiron ta paraqesë”, thotë Darko Kostovski, kryetar i komunës së Butelit.

Nga ana tjetër Qyteti i Shkupit për TV21 tha se vetë qytetarët e kanë votuar programin “Shkupi modern”, dhe se kjo rrugë është e rëndësishme sepse është e frekuentuar.

“Qyteti duhet të sigurojë kushte adekuate për të gjithë qytetarët dhe është e papranueshme që mijëra qytetarë me vite të presin rrugë të re, sepse disa persona uzurpojnë tokën shtetërore në të cilën është projektuar kjo rrugë. Situata aktuale është se toka shtetërore po uzurpohet nga pak atje. Nuk mundës që e drejta e disa personave ta uzurpojë të drejtën e shumicës”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Banorët u shprehën po ashtu se po përgatitet terren për ndërtime të banesave para shtëpive të tyre, por Qyteti i Shkupit thonë se Komuna e Butelit nuk ka dorëzuar ndryshim ose plan të ri të Planit ekzistues të Detajuar Urbanistik dhe se nuk parashihet që këtu të ndërtohen ndërtesa.