Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, dëftesat do t’i marrin në kohë dhe nuk do të ketë vonesa, thotë ministri i arsimit Jeton Shaqiri. Sot është firmosur kontrata me operatorin ekonomik ndërsa dëftesat për klasat e nënta dhe viteve të katërta vetëm se janë shpërndarë.
Shaqiri për TV21 tha se tani mbetet në duar të drejtorive të shkollave se kur do t’ua shpërndajnë dëftesat nxënësve.
“Nuk do të ketë vonesë të dëftesave. Nga ana e Drejtorisë, Byrosë për Zhvillim të Arsimit sot firmoset kontrata me kompaninë. Dëftesat për maturantët e vitit të katërt dhe klasave të nënta janë shpërndarë dhe do të shpërndahen të gjitha dëftesat deri në përfundim të gjysëmvjetorit të dytë. Pas asaj, është në duar të drejtorive të shkollave që të caktojnë datën për shpërndarje të dëftesave”, tha Jeton Shaqiri – Ministër i Arsimit.
Lidhur me suksesin e nxënësve dhe marrjen e notave nga mësimdhënësit, kryetarja e Antikorrupsionit Biljana Ivanovska thotë se 92% është perceptimi se prindërit kërkojnë lidhje për nota më të mira dhe kjo duhet të ndërpritet.
“Nuk duhet të kenë perceptim të mbështeten tek prindërit, kjo është përgjigja e parë se gjithnjë kërkojnë ndihmë nga prindërit. Nuk duhet ta bëjnë këtë, duhet vet të luftojnë, me diturinë e tyre, me mençurinë e tyre e jo me ndihmën e prindërve t’i marrin notat sepse siç ju thash 92% perceptimi është se prindërit kërkojnë lidhje”, pohoi Biljana Ivanovska – Kryetare e Antikorrupsionit.
Ndërkohë matura shtetërore përfundimisht do të fillojë më 27 maj, atëherë kur maturantët do të futen në provim në lëndën gjuhë amtare. Ministri Shaqiri thotë se të gjitha përgatitjet janë drejt përfundimit.
“Të gjitha përgatitjet për datën e pare të provimit kanë përfunduar ose po përfundohen në këto ditë. Kështu që edhe matura shtetërore afati i parë do të respektohet, do të punohet maksimalisht. Por informatat të cilat I kam, sipas gjendjes të cilën ata e konsiderojnë gjithçka është gati edhe për datën 27 maj por edhe për dëftesat”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i MASH.
Ndryshe, çdo shkollë vet e cakton datën për ndarjen e dëftesave tek nxënësit por, Byroja për Zhvillim në Arsim apelon që kjo të ndodhë sa më shpejtë, gjegjësisht në përputhje me kalendarin për organizimin e punës së shkollave, për ato fillore deri më 14 qershor, për të mesmet deri më 9 qershor.