Nuk dëshirojnë fëmijët e tyre të mësojnë nga tableti! Prindërit me fëmijë para MASH, filluan të mbledhin nënshkrime

TË FUNDIT

Prindërit me fëmijët e tyre erdhën para MASH që të shprehin revoltën e tyre për digjitalizimin e teksteve shkollore.

Filluan të mbledhin nënshkrime kundër këtij ligji.

Pse jeni kundër?

“Mendoj se nuk do të arrihet cilësia me libra shkollorë elektronik. Njëjtë siç nuk e ka zëvendësuar prezencën fizike mësimi online”.

Në cilën klasë është vajza juaj?

“Vajza ime është në klasë të dytë”.

Prindërit thonë se digjitalizimi do të ndikojë negativisht ndaj shëndetit mental dhe fizik të nxënësve.

 “Ky është një problem serioz edhe për shëndetin mental edhe fizik të fëmijëve. Gjatë kohë rrinë nëpër kompjutera dhe nëpër telefona dhe tableta. Ndërsa tash duhet edhe në mësim të vazhdojnë kështu mendoj që është shumë problem. Kështu thonë edhe mjekët”, tha Fisnik Rustemi – profesor i muzikës – Tetovë.

Dragana, edukatore dhe nënë e tre fëmijëve, thotë se nuk janë kundër digjitalizimit, tabletat mund të përdoren vetëm si mjet ndihmues, por arsimi të mos bazohet në to.

 “Ne dëshirojmë që librat shkollorë të mbeten në sistemin arsimor, por si mjet ndihmës le të vendosjen  pajisjet elektronike, megjithatë ata të mos jenë pajisja kryesore në të cilat bazohet arsimi. Vegla kryesore e arsimit duhet të jetë libri, e më pas mund të shtohen pajisjet digjitale”, theksoi Dragana Spasevska – Edukatore nga Manastiri.

Një grup joformal në Facebook me nismën “Libra shkollorë dhe mësim duhet të ketë” paralajmëroi bojkot të mësimit dhe protesta nëse nuk tërhiqet ligji – materiale mësimore në arsimin fillorë dhe të mesëm. Nga ana tjetër MASH nuk heq dorë nga digjitalizimi në arsim. Para dy ditëve MASH tërhoqi propozim ligjin, por nuk u tërhoq nga ideja për digjitalizim. Do të bëhen disa korrigjime dhe përpunim i propozimit. MASH porosit prindërit të mos bien pre e propagandës dhe ndikimeve politike. Sipas tyre, reformat në arsim janë të nevojshme dhe kjo bëhet për të mirën e fëmijëve.