Xhudistja Nora Gjakova ka vazhduar të marr medalje në Kampionate Evropiane. Të premten në Montpellier të Francës, Nora fitoi të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë.
Për medalje të bronztë, Nora e mposhti gjermanen Seija Ballhaus. Ndaj saj fitoi me Ippon në kohën shtesë. Lufta ishte shumë e fortë, por Nora kërkoi vazhdimisht hedhjen. Atë e realizoi në minutën e nëntë të luftës. Realizoi aksion të bukur për ta mbyllur me sukses ditën.
Nora në fakt deri në finale nuk ishte në ditën më të mirë të saj, por megjithatë vazhdoi të jetë në podiumin e Kampionateve Evropiane.
Si bartëse e dytë, në raundin e parë ishte e lirë. Në raundin e dytë e mposhti polaken Arleta Podolak. Podolak pësoi shpejtë tri dënime dhe kështu Nora avancoi. Në çerekfinale, xhudisten kosovare e mposhti gjermanja Pauline Starke. Ajo realizoi uazari në kohën shtesë.
Raundin e parë të repesazhit, Nora e kaloi pa luftë, pasi izraelitja Timna Nelson Levy nuk doli fare në tatami.
Për Norën është medalja e shtatë në Kampionate Evropiane. Ka një të artë, një të argjendtë dhe pesë të bronzta.
