Nobelisti Ferid Murad përkrahë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

TË FUNDIT

Nobelisti amerikan me prejardhje shqiptare, Ferid Murad, laureat i çmimit nobel për mjekësi, është personaliteti i radhës me famë botërore që ka mbështetur publikisht kandidaturën e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, (UNESCO).

“Unë jam një hulumtues me prejardhje shqiptare. Kamë qenë në Kosovë dhe kam parë progresin e mrekullueshëm që është arritur dhe potencialin e rinisë dhe studentëve. Tek ata e shoh të njëjtën etje për sukses siç e kisha unë në vitet e mia të rinisë. Unë isha me fat që u linda në vendin e mundësive. Më vjen keq kur shoh frustrimin në sytë e tyre, ata jetojnë në vendin më të izoluar në Ballkan dhe në Evropë për shkak të regjimit kufizues të vizave. Qasja e tyre në programe dhe grante të ndryshme është e kufizuar.

Jam entuziazmuar kur mësova se autoritetet e Kosovës gjatë vjeshtës do të aplikojnë për anëtarësi në UNESCO me qëllim që t`ju ofrojnë qytetarëve më shumë mundësi. Ata kanë zgjedhur drejtimin e duhur, e ai është i integrimit dhe bashkëpunimit. Qasja në programe të ndryshme shkencore ndihmon shumë. Hulumtimi shkencor është një bast i sigurt: edhe idetë e thjeshta mund të kenë ndikime të mëdha”, ka thënë ndër të tjera ai.

Murad e ka përfunduar kërkesën e tij duke thënë se është fisnike të ndryshosh jetën e dikujt, të njohësh përpjekjet e tij apo saj por pikësëpari, të gjithë e kemi obligim që të jemi të drejtë. Sipas tij duke ofruar anëtarësi të plotë për Kosovën, shtetet anëtare do të bëjnë atë çfarë është e drejtë dhe e ndershme.