Rreth 30 lokacione në Prilep dhe rrethinë janë përfshirë në një aksion të gjerë policor që po zhvillohet që nga orët e hershme të mëngjesit.
Në terren janë angazhuar njësi speciale dhe zyrtarë policorë të uniformuar, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Byrosë për Siguri Publike, po kryen kontrolle dhe bastisje në disa pika.
Sipas informacioneve jozyrtare, aksioni është pjesë e një hetimi më të gjerë për një strukturë të dyshuar të krimit të organizuar, me fokus në aktivitete të lidhura me drogën.
Në kuadër të hetimit, sipas të njëjtave informacione, janë përfshirë edhe pjesëtarë të strukturave policore. Për ta po verifikohen lidhje të mundshme me persona apo aktivitete që janë objekt i hetimit.
Në disa lokacione në Prilep dhe në zonën përreth vazhdojnë kontrollet, ndërsa në terren ndodhet një numër i madh i forcave policore.
Deri më tani, Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka publikuar detaje zyrtare lidhur me aksionin.
