Një vit nga funksionimi i Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai sot foli për projektet e përfunduara gjatë një vit qeverisje. Tha se janë realizuar investime kapitale, janë rritur pagat, pensionet, ndihma shtetërore. Megjithatë ndryshimet kushtetuese dhe integrimi europian ishin në fokus gjatë fjalimit të tij. Theksoi se projekti më i rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë është projekti europian dhe bëri thirrje për unitet dhe shumicë parlamentare. Kjo është koha në të cilën duhet të sillen vendime të rënda në kohë kur ka provokime të mëdha, tha kryeministri.
“Në vitin 2023 pres hapërim të ri në integrimet europiane. Besoj se mund të arrihet shumicë europiane parlamentare që do të sigurojë perspektivë europiane. I kuptoj dyshimet dhe kujdesin. Edhe unë kam familje që jeton këtu dhe e dua atdheun tim. Por, nuk mundem dhe nuk do të pranoj që dikush në mënyrë politike të përfitojë në llogari të perspektivës së qytetarëve dhe shtetit. Thash, pjesën më të madhe të vitit isha mes jush, qytetarëve, i kam dëgjuar nevojat tuaja. Nevojat tuaja nuk janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, nuk janë truqet politike, nuk janë bllokada në parlament”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Zv/kryeministri i parë Artan Grubi theksoi se tashmë nuk ka hapësirë për kalkulime dhe se të gjithë duhet t’i bashkëngjiten shumicës progresive në rrugën drejt BE-së. Në vend ka patriotë të rrejshëm që duan vetëm pushtet për ta mbajtur vendin e izoluar nga bota perëndimore, duke i frikësuar qytetarët me shpifje, tha Grubi.
“Me këto politika të frikës humbëm 10 vjet të jetëve tona. Sot ata që instalojnë frika të panjohura, u thonë përfaqësuesve ndërkombëtarë se do ta ndryshojnë Kushtetutën pasi e marrin pushtetin dhe se kanë metoda por se për këtë gjë u duhet që ta marrin pushtetin. Është mirë që ta dinë këtë anëtarët e partisë së tyre”, tha Artan Grubi, zv.kryeministër i parë.
Nga VMRO-DPMNE vetë ngjarjen e Një vjetorit të punës së Qeverisë e quajtën panair duke thënë se LSDM dhe BDI nuk mund të lëvdohen me realizimin e projekteve. Sa u përket ndryshimeve kushtetuese, në kohën e fundit kryetari i partisë, Hristijan Mickoski vazhdimisht po përsërit se ata nuk do të përkrahin ndryshime dhe se ndryshime nuk do të ketë.
