Një shtetas i Shqipërisë është arrestuar në Brazil, i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga Franca, por ishte i kërkuar edhe nga Maqedonia e Veriut

TË FUNDIT

Policia në Brazil ka arrestuar një shtetas shqiptar të kërkuar me fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Franca për trafik droge dhe në kërkim edhe nga Maqedonia e Veriut.

“Shtetasi shqiptar Shaqir (Hektor) Nikolli (45) nga Peshkopia, është arrestuar në Sao Paulo të Brazilit. Ai është një emër i njohur i organeve të drejtësisë shqiptare, i cili zgjodhi për jetë kryeqytetin brazilian, ndërsa akuzohej për trafik ndërkombëtar droge, si anëtar i një organizate kriminale”, shkruan Balkanweb

Sipas agjencisë, në janar të vitit 2013, Nikoli u dënua me 10 vjet burg për trafik droge në Ren, Bretanja, Francë dhe për të u lëshua një urdhër arresti përmes Interpol Paris.

Ai ishte në kërkim edhe nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, por nuk thuhet për çfarë krimi.

Nikolli do të jetë në dispozicion të Gjykatës së Lartë të Brazilit, në pritje të procesit të ekstradimit për Francën.

Në të njëjtën kohë në Shqipëri, Nikolli dyshohet se ka vrarë dy persona në një grabitje autobusi në vitin 1996. Ai u arrestua në vitin 2002 në Vjenë të Austrisë për ekstradim në Shqipëri, por arriti të arratisej.