Jo vetëm ndezje të qirinjve dhe telegrame ngushëllimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Kosova çdo herë bënte më shumë. Përmes prodhimit të filmave të ndryshëm, shfaqjes së tyre përplot 5 netë rresht në festivalin “9/11 Dedication”, Kosova për njëmbëdhjetë vjet radhazi nderoi viktimat e 11 shatorit. Çdo vit prodhonte nga 7 deri në 12 filma, shtoja kësaj edhe ata që garonin nga vendet tjera fqinje. Por sivjet nuk do të ketë prodhim. Nuk do të ketë festival 5 netë radhazi. Viktimat e 11 shtatorit do të nderohen me një festival dy-ditor, pa karakter garues dhe me filma të vjetër që kanë qenë pjesëmarrës edicionet e kaluara. Krejt kjo, për shkak se 4 mijë euro të ndara nga Ministrisë së Kulturës për sivjet, nuk iu mjaftojnë organizatorëve.
Muaj më parë Ministria e Kulturës ndau shumat me të cilat i përkrahë festivalet në Kosovë, ku zvogëloi përkrahjen për festivalin 9/11, të cilit i ndau 4 mijë euro.
Organizatorët qenë në dilemë se a ta mbajnë sivjet edicionin e radhës, që është i dymbëdhjeti me radhë, apo jo.
U vendosë që të mbahet vetëm dy netë, të mos prodhohen filma, pasi që nuk kishin buxhet të mjaftueshëm, dhe kështu të shfaqën vetëm filmat e vjetër.
Zëdhënësja e festivalit, Getoarbë Mulliqi thotë se vetëm më datat 10 dhe 11 shtator do të shënohet 9/11.
Sipas saj, me 4 mijë euro është e pamundur të mbulohen shpenzimet e festivalit, ashtu siç është mbajtë çdo vit.
Ajo shtoi se në këtë festival çdo vit kanë pas tetë skenaristë apo dhjetë, gjithashtu edhe aq regjisorë.
Mulliqi mendon se me mos-përkrahjen e festivaleve të tilla arti në Kosovë do të humb.
Madje, ajo thotë se kjo e jep edhe një imazh jo të mirë të kulturës kosovare tek ShBA-të.
9/11 ishte mundësi mjaftë e mirë edhe për studentë, pasi që ky festival i ndihmonte në bërjen e filmave. Artistët e rinjë kishin mundësinë të promovoheshin.
Festivali 9/11 Dedication njihet si një festival i veçantë. Kjo për shkak të numrit të madh të filmave që prodhonte dhe qëllimit pse organizohej çdo shator.
Këtë vit, 9/11 shënon edicionin e dymbëdhjetë. Nine Eleven Dedication organizohet çdo vit për të nderuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.
