Një muaj paraburgim për Butën

TË FUNDIT

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj reperit Butrint Januzi, i njohur si Buta, nën dyshimin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje pa leje të armëve.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 11 prill 2026, rreth orës 20:15, në një parking pranë një lokali në Ferizaj, pas një fjalosjeje që ka eskaluar në përleshje fizike mes dy personave.

Prokuroria dyshon se gjatë përleshjes, Buta ka nxjerrë një pistoletë të tipit VD-9 (kalibër 9 mm) dhe ka shkrepur dy herë në drejtim të tokës, duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe sigurinë publike. Arma, së bashku me 13 fishekë, është sekuestruar nga autoritetet, ndërsa dyshohet se mbahej pa leje.

Ndërkohë, ndaj të dyshuarit tjetër, me inicialet E.H., është caktuar po ashtu paraburgim për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”. Ai dyshohet se e ka sulmuar Butën me thikë, duke e goditur dhe tentuar ta lëndojë, çka ka shkaktuar plagosje gjatë përleshjes.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar për veprat penale dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj. Të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë, ndërsa ankesa ndaj vendimit nuk e pezullon ekzekutimin e masës.