Një grup prej 20 personash kanë bllokuar vendkalimin në Merdare nga drejtimi i Kurshumlisë në drejtim të Podujevës, raporton korrespondenti i RTS.
Serbët vendosën një kamion me rimorkio dhe traktorë për të mbështetur serbët e Kosovës.
Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se “grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në Merdare”.
“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
MPJD udhëzon qytetarët që tashmë kanë hyrë në Serbi, që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut -pikëkalimi kufitar i Preshevës – përmes Shkupit.
