Një javë më parë, Gissur Simonarson, një aktivist nga Oslo, postoi një foto në rrjetet sociale, ku shihej një burrë që shiste stilolapsa në një rrugë në Bejrut, me vajzën e përgjumur në krahë. “Është një foto tmerrësisht emocionale. Mund të shohësh shikimin në sytë e tij dhe mënyra sesi ai i mban ato stilolapsa sikur të jenë gjithçka që ai ka në botë,” ka thënë aktivisti për CNN, rreth fotos që tronditi 6 mijë ndjekësit e tij.
Brenda disa orësh, vërshuan ofertat për ta ndihmuar shitësin e stilolapsave, por Simonarson nuk e dinte as si quhej ai dhe as kush e kishte shkrepur foton. Kështu, në rrjetet sociale nisi një fushatë për gjetjen e burrit në foto nën hashtag-un #BuyPens (blini stilolapsa).
Pas dy ditësh kërkimi intensiv, shitësi i stilolapsave u gjend. Ai quhej Abdul dhe ishte prindi i vetëm i dy vajzave. Ai ishte arratisur nga Siria ku punonte në një fabrikë çokollatash, pasi shtëpia e tij ndodhej në një nga zonat më të nxehta të luftës aty dhe jetonte duke shitur stilolapsa. Brenda 24 orësh, rreth 3’000 persona mblodhën më shumë se 80’000 dollarë.
“Kur dëgjoi për shumën, Abdul shpërtheu në të qara dhe vetëm falenderonte për bujarinë,” ka thënë Simonarson. Abdul është shprehur se më në fund mund të çojë në shkollë vajzat e tij të vogla.
